Nga Edi Rama
E kam ndeshur këtë pyetje në komente mbi operacionin më të fundit të qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi. Pyetja në fakt është ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime!
Këtë do ta mësojmë nga hetimi që ka nisur paralelisht, ndërkohë që pa dashur të humbas kohën e askujt të cilit nuk i mbushet mendja, po as timen për t’iu mbushur mendjen atyre që s’duan, them se janë disa gjëra që duhen mbajtur parasysh:
E para, sot këto lloj ndërtimesh janë ku e ku më pak se dje dhe janë ku e ku më pak, pikërisht sepse ka ku e ku më shumë shtet, ligj, rregull se deri dje.
E dyta, kjo nuk është një ndeshje futbolli dhe as një betejë e vetme, po një luftë e gjatë, ku avantazhi i shtetit e i ligjit në terren nuk merret kollaj, po me mund e durim të madh.
E treta, ky operacion bazohet në ndryshimet e reja ligjore, që dolën si mësim në rrugën plot kthesa e befasira të kësaj lufte dhe në një vullnet të papërkulur për ta çuar këtë luftë të gjatë deri në fund.