KUNDËRMIMI I TIRANËS

1 Minuta Lexim
Mehmet Elezi
Në shtator erëmon rinia, më kujton shtatorin tim të parë, si student. Në shkurt mimozat (s’ka më). Ne maj jargavanët mbi mure (s’ka më, ka beton).
Tashti… nuk ma zë goja me e thanë. Kaloj çdo mëngjes nëpër bulevardin Dëshmorët e Kombit, drejt liqenit. Te ura mbi Lanë mbaj frymën dhe u mëshoj këmbëve. Në mbrëmje, një ecje çlodhëse deri te universiteti. Te ura mbi Lanë, i njëjti kundërmim. Njësoj te ura përballë kishës së Shën-Palit. Te ura në rrugë të Elbasanit. Te…
Kam qenë para 35 vjetësh në Afrikë, në Dar-es-Salam. Në një lagje periferike, buzë detit, të mbyste era e rëndë. Në një gji të vogël derdheshin ujërat e zeza të kryeqytetit. Gjithsesi në qendër të qytetit nuk ndihej. Tashti as në atë lagjen periferike të Dar-es-Salamit, në Afrikë, nuk ndihet më. Shteti ka marrë masa.
Në zemër të Tiranës të mbyt kjo erë. Kur bie shi më rrëmbim, gëzohemi. Për nja 24 orë pastrohet ajri brigjeve të Lanës. Pas 24 orësh, mos pyet!
Tirana jonë e shtrenjtë! I vetmi (krye)qytet në Europë, ku të huajt largohen me shijen e këtij kundërmimi frymëzënës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull