3 Minuta Lexim

Nga Evarist Beqiri

“Historia është gjykatësi suprem, para së cilës shpalosen të gjitha sekretet.” – Ismail Qemal Vlora

Mos prit nga ata që e kanë ndërtuar identitetin vetëm mbi pushtetin, që të vendosin interesin e përbashkët mbi interesin personal. Nëse posti bëhet identitet, e mira publike është viktima e parë. Në Shqipëri, kjo shfaqet shpesh si patriotizëm në formë, por jo në përmbajtje.

Problemi ynë nuk është vetëm korrupsioni financiar. Është korrupsioni intelektual dhe moral që e zbraz debatin nga kuptimi dhe e mbush me fjalë të mëdha. Kjo është një kulturë e ushqyer për vite me radhë, ku dukja ka zëvendësuar thelbin.

Në këtë realitet, politika shpesh bëhet për të mbijetuar, jo për të ndërtuar. Një pjesë e figurave publike nuk ekzistojnë jashtë saj. Aty ku politika është burimi i vetëm i legjitimitetit, interesi publik bëhet i negociueshëm.

Nuk mjafton të kërkojmë “të rinj në politikë”. Nëse përsërisin të njëjtat modele klienteliste dhe arrogante, mosha mbetet vetëm një detaj sipërfaqësor. Shqipërisë i duhen vlera të reja, kulturë e re politike dhe institucione që funksionojnë pavarësisht individëve.

Nga përvoja ime brenda shtetit, kam parë si devijohen vendimet jo nga mungesa e burimeve, por nga mungesa e karakterit. Nëse e vërteta shmanget, përgjegjësia tretet dhe standardi bie. Frika nga e vërteta është më e rrezikshme se çdo kundërshtar.

Ndryshimi që kërkojmë nuk vjen nga lista të hapura, emërime pa meritë apo konjuktura momenti. Ndryshimi fillon nga një standard i ri. Ndershmëri që nuk ka nevojë të bërtasë. Përvojë që nuk përdoret për vetëlavdërim, por për shërbim. Vendimmarrje që mban përgjegjësinë edhe në ditë të vështira.

Një model i ri lidershipi duhet të matet me kritere të qarta. Transparencë reale në vendimmarrje dhe komunikim. Llogaridhënie e verifikueshme, me pasoja kur gabon. Zero konflikt interesi, jo vetëm në letër. Meritokraci e matshme, ku aftësia peshon më shumë se lidhjet.

Politika ka nevojë për njerëz që janë dikush edhe jashtë saj. Njerëz me ide, punë dhe kontribut. Vetëm ata mendojnë përtej vetvetes. Qytetarët duhet të kërkojnë pikërisht këtë standard. Ta matin, ta shpërblejnë dhe ta mbrojnë atë. Historia na mëson se, ai që nuk blihet, nuk manipulohet dhe nuk imitohet është një i vetëm: KARAKTERI.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull