Kryemadhi pranon që ka Swift! A mund të na e tregoni ju lutem…dhe ku e keni deklaruar?

5 Minuta Lexim

Monika Kryemadhi e pranoi në emisionin Opinion që ka një Swift (pagesa internacionale nga llogaria bankare personale) që e ka përdorur për të kryer pagesat, siç deklaroi për t’u kuruar për probleme shëndetësore që thotë se ka prej 12 vitesh.

“Unë kam qenë në klinikë dhe në atë klinikën që përmendet. Ajo është një Swift i falsifikuar, është përdorur iban i një kompanie në romë, që kam mbi 12 vite që kurohem për probleme kardiologjike dhe për kancerin e qafës së mitrës është një Swift tjetër”, tha ajo.

Problemi i vetëm nuk është pasja apo jo e një kodi Swift nga Monika Kryemadhi. Problemi është se ky Swift nuk është deklaruar në deklaratat e pasurisë që deputetja dhe ish-kryetarja e LSI-së ka detyrimin të dorëzojë në Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive.

Ligji për deklarimin e pasurive thotë në nenin 3 të tij se pjesë e detyrimit janë edhe deputetët, ndërsa në nenin 4 përcaktohet se çfarë janë të detyruar që të deklarojnë çdo vit para datave 31 mars:

“Sendet me vlerë të veçantë mbi 300 mijë lek, vlerën e aksioneve, të letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në zotërim; vlerën e likuiditeteve, gjendje në cash jashtë sistemit bankar, në llogari rrjedhëse, në depozitë, në bono thesari dhe në huadhënie, në lekë ose në valutë të huaj; detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë, të shprehura në lekë ose në valutë të huaj; të ardhurat personale për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde, komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjell të ardhura personale”.

Deklarimet përfshijnë edhe dhuratat me vlerë mbi 10 mijë lek të reja.

“Dhuratat dhe trajtimet preferenciale, përfshirë identitetin e personit fizik ose juridik, prej nga vijnë apo krijohen dhuratat nga trajtimet preferenciale. Nuk deklarohen dhurata ose trajtim preferencial kur vlera e tyre është më e vogël se 10 000 (dhjetë mijë) lekë, si dhe kur dy e më shumë dhurata ose trajtime preferenciale, të dhëna nga i njëjti person, së bashku, nuk e kalojnë këtë vlerë, gjatë së njëjtës periudhë deklarimi; angazhime në veprimtari private me qëllim fitimi ose çdo lloj veprimtarie që krijon të ardhura, përfshirë çdo lloj të ardhure, të krijuar nga kjo veprimtari ose ky angazhim; interesa privatë të subjektit, që përputhen, përmbajnë, bazohen ose burojnë nga marrëdhëniet familjare apo të bashkëjetesës”.

Monika Kryemadhi s’e ka bërë këtë në deklaratat vjetore të dorëzuara në ILDKPI. Ajo duhet ta tregojë publikisht vetë, të paktën për hir të transparencës dhe si provë për ta besuar se po ‘lufton korrupsionin në krah të bashkëshortit të saj, Ilir Meta’.

Nëse s’e bën me hir, a nuk është ky fakt i mjaftueshëm që SPAK të kërkojë me pahir prej Monika Kryemadhit Swift-in e transfertave në San Marino, që siç e pohon vetë ish-kryetarja e LSI-së e ka përdorur për të kryer pagesat për kurimin nga problemet kardiovaskulare dhe kancerin në qafën e Mitrës?

Marrja e këtyre të dhënave do t’u jepte përgjigje me radhë shumë pyetjeve të tjetra që pasojnë, sa është shuma e transfertës së kryer, sa është pagesa totale dhe cili është burimi i vërtetë i parave.

Kjo transfertë bankare Swift, a është bërë nga numri i llogarisë personale të Monikës, bashkëshortit të saj, apo nga ndonjë llogari tjetër? A janë kryer këto pagesa nga llogaria e Monikës në Shqipëri, apo nga llogari Offshore të një vendi tjetër e në një emër tjetër?

Avokati Idajet Beqiri thotë në padinë e ngritur se kjo shumë është 287 mijë euro. Kryemadhi nuk deklaron asnjë shifër. I mbetet SPAK që duke marrë shkas nga deklarata publike e Kryemadhit dhe nga padia e ngritur që të verifikojë se cili ka të drejtë dhe cili jo.(Voxnews.al)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull