Orest Cipa
“Akullore, hjade akullore, akullore, hajde akullore ”, “kujdes me qenin se po e shtrëngon” , “dua edhe unë të loz me fëmijët tek shkolla siç bën Spencer”, “Covid është i rrezikshëm, por nuk kam më frikë’, “na duhet një taksi se jemi von”, “je shumë i vështirë, më li rehat dhe shiko punën tende”, “sa është ora”, “hej, më prit se erdha”, -për një çast, ky ishte peisazhi i fjalëve kuturu, javës që shkoi në rrugën e 72-të të Manhattanit lindor.
Fjalë të cilat hynin e dilnin nga veshët e mi, pa pyetur, pa xhentilesë, pa respekt, në formë spiralesh që të lodhin durimin.
Kjo “tablo” e përditshme, është një ndër ato horizonte ku beteja e njeriut kozmoplitan me zhurmën dhe gjullurdinë çakërditëse nuk u fituan kurr. Por, mesa duket, ndoshta vetvetiu është bërë një pakt i heshtur midis qytetit, katrahurës dhe frymëmarrësit. Këtu, këto tre “personazhe” duket sikur kanë lindur, jetojnë dhe do të vdesin së bashku.
Mirëpo, ky trafik fjalësh të pa kontrolluara, të ardhura majtas e djathtas,nga të gjitha drejtimet e mundshme në një moment u gllabërua nga zhurma e goditjes së tenxheres me garuzhde e cila shoqërohej ritmikisht me togfjalëshin: “akullore, hajde akullore, dum-baba-bum, dum-baba-bum , akullore , hajde akullore“.
Më bëri përshtypje dhe u ndala!
Mu kujtuan raportimet dhe kronikat e herëpashershme të lajmeve në Shqipëri. Para syve mu shfaqën ato rastet “mjerane”, kur Palicia Bashkiake konfiskon produket e fshatarëve të ardhur nga periferia për të fituar kafshatën e bukës.
Këta “luftëtar” të cilët përballen me presën e pamëshirë dhe të frikshme të thikës së fukarallëkut, nuk ju mjafton rezistenca e mos ikjes nga atdheu dhe sakrifica për të qenë të lumtur në vendin e tyre, por duhet të shpërfytyrohen nëpër trotuaret e qytetit për arsye “estetike” apo “ligjore”.
Duhet të jenë shumë të fuqishëm !
Eshtë e vështirë të lëshë mënjanë krenarinë që na karakterizon si shqiptar dhe të dalësh rrugëve me përulësi për të siguruar jetesën duke shitur domate apo kunguj, ndërkohe që produket e “baçes tjetër” kontribuojnë për “estetikën” dhe “ligjin”e qyteteve tona.
Nejse, u kthjellova!
Si unë, ishin dhe 3-4 të tjerë që prisnin në rradhë.
Të gjithëve me siguri na tërhoqi vëmendje goditja e tenxheres nga garuzhdja. Siç duket, ky marifet i ardhur nga një “botë cinganësh”, ishte grepi i peshkimit të myshterisë, ose çelësi i të bërit tregti në metropol.
-Hajde, shpejt e shpejt ju lutem se këto janë dy javët e fundit që shes akullore për këtë vit e pastaj do prisni deri vitin tjetër.
-Toni, më bëj dy akullore të vogla me arrë kokosi, në kaush të lutem i tha dikush që mesa duket e njihte! Mua ma bëj me mango, ndësa mua të lutem, një siç e porositi zotëria i parë i tha shitësit me shumë delikatesë një zonjë e veshur bukur.
Unë, vendosa të pres. (Siç e thashë edhe më sipër, më bëri përshtypje kjoska lëvizëse që shëtiste nëpër qytet duke shitur akullore)
Pasi mbaroi punë me klientat e tjerë ishte rradha ime.
-Zotëri, çfarë do të marrësh?- më tha.
Një akullore të vogël me arrë kokosi, ju përgjigja unë, por dua të të pyes pak për profesionin tënd nëse ke kohë dhe dëshirë i thashë.
Pasi ma aprovoi me kokë e pyeta se si e kishte gjetur këtë punë dhe ai mu përgjigj rrufeshëm!
-“Money my friend “ Leku ,miku im” shkoj pas lekut.
-Pse je i interesuar ?- ma ktheu
Më bëri përshtypje se si të lënë të shesësh akullore me kioskë në mes të Manhattanit i thashë. A ke liçencë për biznesin?
Unë jam Toni që shes akullore për gati 20-vjet. Nga rruga 60-të deri në rrugën 90-të, se pak më lartë të vjedhin me thika negrot e Harlem-it. Jam i liçesuar, kam gati 3000 kilenta të përhershëm. Tre dollarë bën akulloraja jote dhe më zgjati dorën.
Avash pak, avash, nuk jam polic, pse me flet me inat! Urdhëro lekët.
-Je veshur si polic -më tha
Punoj në recepsion te kjo godina përballë i thashë, po shkoj në punë për 10-të minuta, mos ki frikë.
Jam kurjoz ta di se si e ke fituar të drejtën për të bërë tregti me karocë në Manhattan?
-Eshtë shumë e thjeshtë, aplikon me planin e biznesit, inspektorët bëjnë një kontroll të dokumentacionit dhe produkteve dhe çdo vit paguan taksat. Lejen ma kanë dhënë pë 10-të blloqe pallatesh, por unë shes edhe në blloqet e tjera, nuk me thonë gjë.
U miqësuam shpejt dhe Toni nisi të më tregojë më shumë për shitjen e akulloreve dhe për qytetin gjatë Covid-it. Në një moment, ai me tha se 2-vite më parë, kishte rezikuar të mbetej pa punë pasi njerëzit ishin skeptik dhe kishin frikë.
“Ata kujtonin se po të haje akullore të ftohej gryka e të zinte covid-i. Nuk u besonin tasave, kaushëve, lugëve, mënyrës se si ne i bënim akulloret, ishte komplet çmenduri” – tha Toni dhe u ngop me frymë.
Po tani si duket? A ja vlen të shesësh? Kush ha më shumë akullore ?
-Tani është më mirë, punoj 4-muaj sa për gjithë vitin. Ja vlen! Ata që hanë më shumë akullore janë femijët, ndërsa ato që nuk hanë, ose nuk i afrohen fare, janë zonjushat e reja.
Pse?-e pyeta unë.
-Papi (miku im) kanë frikë se ju prishet botoksi i buzëve tha duke qeshur dhe u bë gati për të ikur.
Para se të lëvizte nga vendi e pyeta nëse mund ti bëja një foto te karoca me tenxhere dhe garuzhde, por ai nuk pranoi, donte vetëm një foto të thjeshtë.
Pasi e shkrepa foton, Toni nga Hondurasi, iku siç kishte ardhur, në “tymnajën” e zhurmës të goditjes së tenxheres me garuzhde e cila shoqërohej ritmikisht me togfjalëshin: “akullore, hajde akullore, dum-baba-bum , dum-baba-bum , akullore , hajde akullore“.