Mbledhja e Asamblesë së OKB-së, Xhaçka: Vendi ynë gëzon tashmë një imazh serioz e të respektuar në arenën ndërkombëtare

3 Minuta Lexim

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka shpërndarë nga Nju Jorku, ku u mblodh Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, një video-mesazh.

Ministrja shprehet krenare se tashmë Shqipëria gëzon në arenën ndërkombëtare një imazh serioz dhe të respektuar.

Sipas saj, Shqipëria edhe pse një vend i vogël, nuk është thjeshtë një spektator në arenën ndërkombëtare, por një kontribues me ide për çështje që shqetësojnë botën aktualisht.

FJALA E MINISTRES OLTA XHAÇKA

“Java e nivelit të lartë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB është gjithmonë një ngjarje e veçantë, me shumë intensitet e shumë ngarkesë. Në këtë sesion të 77, kemi pasur një angazhim vërtet të paprecedentë edhe për faktin që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit. Por jo vetëm kaq.

Ajo që mund të them me shumë krenari, por që besoj duhet të bëjë krenarë edhe qytetarët shqiptarë, është që vendi ynë gëzon tashmë në arenën ndërkombëtare një imazh serioz e të respektuar, Shqipëria është një vend zëri i të cilit sot dëgjohet dhe respektohet. Nuk jemi, siç ndodh shpesh me vendet e vogla, thjesht një spektator në arenën e madhe globale, por një kontribues me ide edhe në debatet e mëdha për krizën ushqimore, për agresionin rus në Ukrainë, e deri tek reformimi i OKB.

Qoftë në tryezat e diskutimeve, qoftë në takime bilaterale, ne kemi ndarë qëndrimin e vendosur të Shqipërisë në linjë të plotë me vendet aleate e partnere, lidhur me dhënien fund luftës në Ukrainë, dënimin e agresionit rus dhe nevojën për llogaridhënie për krimet e tmerrshme që Rusia ka kryer në atë vend, për krizën e ushqimeve që po prek dhjetëra milionë njerëz apo për nevojën për të reaguar njëzëri në mbrojtje të sistemit ndërkombëtar që garanton paqen dhe sigurinë në botë.

Duke i dhënë padyshim, një vend të posaçëm mënyrës sesi këto kriza po prekin rajonin tonë dhe mënyrave sesi duhet garantuar paqja e siguria në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova, nevoja për dialog e marrëveshje e për një perspektivë të qartë integrimi, kanë zënë një vend kyç.

Nënshkruam në marzhet e Asamblesë edhe një marrëveshje për lëvizjen e lirë pa viza me Kazakistanin dhe vendosëm përmes një sërë takimesh bilaterale, ura të rëndësishme komunikimi me shume vende me të cilat ka ardhur koha që të investojmë për intensifikimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve.

Kemi shumë punë përpara për t’i shfrytëzuar këto mundësi e për të shfrytëzuar këtë moment shumë të mirë për diplomacinë tonë, por ajo që mund të them pa asnjë hezitim, është që 9 muaj pas marrjes së mandatit në Këshillin e Sigurimit, vendi ynë ka bërë hapa të jashtëzakonshme në politikën e jashtme që jemi të vendosur t’i përkthejmë në rezulate konkrete e të prekshme për qytetarët shqiptarë.”

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull