Një vit nga vrasja e nënkomisar Saimir Hoxha/ Rrumbullaku mesazh Policisë: I kërkoj secilit punonjës që të…

7 Minuta Lexim

Tek Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, u zhvillua këtë të mërkurë një ceremoni përkujtimore me rastin e një-vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, Nënkomisar Saimir Hoxha.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, në fjalën e tij u shpreh se “një shembull i tillë i kryerjes së detyrës është motivi më i mirë për mua, që të orientoj dhe të fokusoj organizatën e Policisë në rrugën që përshkuan heronjtë tanë, për të zbatuar dhe për të mbrojtur ligjin në interes të sigurisë së jetës dhe të pronës së qytetarëve”.

Sipas drejtorit të Policisë, Nënkomisar Saimiri nga “ndershmëria dhe përgjegjësia e tij për të përmbushur si duhet detyrën deri në gjetjen e autorit, e përballi me një kriminel që i mori jetën”.

Rrumbullaku kishte dhe një mesazh për të gjithë punonjësit e policisë së shtetit:

“Sot, i kërkoj secilit punonjës të Policisë së Shtetit, nga roli bazë deri në piramidën drejtuese, që të punojnë më me përkushtim, profesionalizëm dhe ndershmëri, në shërbim të vendit e të qytetarëve, pasi vetëm kështu heronjtë tanë do të prehen të qetë sepse misioni i tyre do të përçohet më tej dhe nuk ka mbetur në mes të rrugës apo i paadresuar, por çdo ditë e më shumë punohet për ta përmbushur atë”.

FJALA E PLOTE

I nderuar zoti zv.ministër,
Të nderuar familjarë të kolegut tonë të paharruar Saimir Hoxha,
Të nderuar drejtues dhe punonjës police,

Për mua si qytetar dhe si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është shumë e vështirë të gjej fjalët e duhura për të nderuar dhe për të kujtuar një nga heronjtë tanë, Nënkomisarin Saimir Hoxha, i cili ishte pjesë e një grupi operacional në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Nënkomisari humbi jetën në përpjekje për të zbatuar ligjin, për të përmbushur me dinjitet, ndershmëri dhe përgjegjshmëri të plotë detyrën funksionale.

Një shembull i tillë i kryerjes së detyrës është motivi më i mirë për mua si Drejtor i Përgjithshëm, që të orientoj dhe të fokusoj organizatën e Policisë në rrugën që përshkuan heronjtë tanë, për të zbatuar dhe për të mbrojtur ligjin në interes të sigurisë së jetës dhe të pronës së qytetarëve.

Në fjalën time, gjatë betimit, kisha në mendje vetëdijen time, si qytetar në radhë të parë, për sakrificën sublime të qindra Dëshmorëve të Policisë, vepra e të cilëve është busull orientimi dhe kambanë për ta bërë detyrën si duhet, në mënyrë që në radhët tona të mos ketë më dëshmorë, por të ketë triumfe dhe suksese mbi krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, duke iu garantuar qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, një ambient sa më të sigurtë dhe për të qenë garantë të zbatimit me korrektësi dhe ndershmëri të ligjit.

Pavarësisht se Nënkomisar Saimiri e kishte kryer detyrën dhe po kthehej në komisariat, ndershmëria dhe përgjegjësia e tij për të përmbushur si duhet detyrën deri në gjetjen e autorit, e përballi me një kriminel që i mori jetën.

Akti sublim i Saimirit dhe i të gjithë Dëshmorëve të Policisë është një apel për të gjithë shoqërinë, e cila duhet ta respektojë dhe ta vlerësojë me peshën e dinjitetit, figurën e punonjësit të Policisë, simbolin e sakrificës dhe të sigurisë.

Të dashur familjarë të kolegut, mikut dhe shokut tonë të paharruar,

Sot jeni krenarë për birin tuaj, sepse Saimiri u largua në përjetësi, me dinjitet. Ai do të kujtohet dhe do të lartësohet në piedestalin e kombit dhe në memorien e historisë, për përpjekjen e tij për të zbatuar ligjin dhe për të përmbushur me ndërshmëri e profesionalizëm misonin e shenjtë që ka mbi supe çdo punonjës i Policisë së Shtetit, mision që është sa i vështirë aq edhe fisnik, sa i lavdëruar nga qytetarët aq edhe i rrezikuar nga krimi apo nga përbaltja pa të drejtë, e punës dhe e figurës së punonjësit të Policisë.

Saimiri ju mungon fizikisht, por ju keni përjetësisht mirënjohjen dhe vlerësimin e qytetarëve, keni një familje shumë të madhe, Policinë e Shtetit, dera e së cilës është përherë e hapur për familjarët e Dëshmorëve të Policisë, keni vlerësimin dhe përkujdesjen e Ministrisë së Brendshme dhe të Qeverisë, për t’ju lehtësuar sadopak mungesën fizike të Saimirit.

Jam i bindur se çdo qytetar i ndershëm që zbaton ligjin dhe kontribuon për sigurinë e qetësinë, krenohet me Dëshmorët e Policisë së Shtetit, e respekton dhe e vlerëson Policinë e Shtetit, e cila ka akoma shumë për të bërë që t’i meritojë plotësisht, besimin, mbështetjen, respektin dhe vlerësimin e qytetarëve, ndonëse sot, sipas sondazhit të bërë nga Programi Suedez për Policiminin në Komunitet, Policia e Shtetit është organizata më e besuar nga qytetarët.

Sot, i kërkoj secilit punonjës të Policisë së Shtetit, nga roli bazë deri në piramidën drejtuese, që të punojnë më me përkushtim, profesionalizëm dhe ndershmëri, në shërbim të vendit e të qytetarëve, pasi vetëm kështu heronjtë tanë do të prehen të qetë sepse misioni i tyre do të përçohet më tej dhe nuk ka mbetur në mes të rrugës apo i paadresuar, por çdo ditë e më shumë punohet për ta përmbushur atë.

I paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e Saimirit dhe e të gjithë Dëshmorëve të Policisë së Shtetit!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull