Si bandat shqiptare në Athinë ftonin kriminelë nga Shqipëria për të “fuqizuar” aktivitetin në Greqi

2 Minuta Lexim

Mediet greke kanë publikuar detaje të reja në lidhje me tre bandat shqiptare që u çmontuan nga policia e Atikës një javë ma parë.

Siç raporton Mega TV, banditët shqiptarë dhe grekë ftonin kriminelë nga Shqipëria për t’iu bashkuar bazës në konviktet e kampusit universitar në Zografou, për të fuqizuar aktivitete e tyre kriminale.

Autoritetet në Greqi kanë dalë në këto përfundime pas arrestimit të një shqiptari 26-vjeçar, i cili akuzohet për 6 grabitje karburantesh dhe supermarketesh, vjedhje motorësh dhe dhunë.

Në këto krime kanë marrë pjesë edhe dy ose tre bashkatdhetarë të tjerë që nuk janë arrestuar ende nga policia greke.

Në ditët në vijim priten prova të reja nga analizat e aparateve celulare të kriminelëve të Universitetit Politeknik në Zografou.

Kujtojmë se tre banda u çmontuan përfundimisht pas operacionit të ELAS-it në rezidencat e studentëve në Kampusin Politeknik Zografou mëngjesin e së martës, 27 shtator.

Siç është bërë e ditur, janë arrestuar gjithsej 34 anëtarë të këtyre bandave, mes të cilëve edhe drejtuesit e tyre.

Konkretisht, banda e parë përbëhej nga 9 anëtarë dhe ishte përfshirë në 80 raste të trafikut të drogës.

Banda e dytë liston 24 anëtarë dhe ka kryer 27 grabitje ndërsa banda e tretë ka 18 anëtarë.

28 grabitje kanë ndodhur brenda ambienteve të kampusit universitar.

Deri më tani është bërë e ditur se dy prej tre bandave janë drejtuar nga 30 vjeçari shqiptar, Esmin Ferhati i njohur ndryshe me nofkën Esko. Ndërkohë shumica e anëtarëve të bandave janë shtetas shqiptarë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull