Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, i ftuar në Klan News këtë të premte ka folur mbi situatën aktuale të Ukrainës. Ai ka treguar se e vlerëson shumë mbështetjen e qeverisë shqiptare, por edhe të popullit të Shqipërisë. Sipas tij ndihma e Shqipërisë, ka qenë humanitare, financiare, por edhe me municione ushtarake.
I pyetur nga gazetari Besard Jacaj, në lidhje me ndihmën që kryebashkiaku i Tiranës i ka premtuar Ukrainës, për ndërtimin e një lagjeje të saj, ambasadori është përgjigjur se nuk është vetëm premtim. Ai ka treguar se ka një marrëdhënie vëllazërore mes Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Kharkiv-it.
Besard Jacaj: Si e cilësoni ndihmën që ka dhënë Shqipëria ndaj Ukrainës?
Volodymyr Shkurov: Është e vërtetë kanë qenë shumë takime produktive në radhë të parë të kryeministrit të Shqipërisë zotit Edi Rama me presidentin e Ukrainës, me zëvendësministrin me kryetarin e Bashkisë së Kievit, kanë qenë edhe disa takime të tjera midis krybashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që ka vizituar gjithashtu Kievin në kuadër të delegacioneve të Evropës.
Të gjithë këto diskutime kanë patur një vend shumë të rëndësishëm për Shqipërinë sepse e ka treguar Shqipërisë si një vend shumë aktiv dhe duke dhënë një rol shumë aktiv të saj për ndihmën në Ukrainë. Këtu flasim për ndihmën humanitare, në formatin e ndihmës financiare, por edhe duke i afruar Ukrainës municione ushtarake. Edhe një herë duhet të falënderoj jo vetëm qeverinë shqiptare, por edhe popullin e Shqipërisë.
Besard Jacaj: Ka pasur edhe ndihma konkrete, kemi parë medikamente që kanë shkuar nga Shqipëria, gjithashtu edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka deklaruar se një lagje e Ukrainës do ndërtohet nga Shqipëria dhe Tirana. Do keni komunikime që të keni më tepër mbështetje financiare? Sepse është e rëndësishme mbështetja morale, por edhe mbështetja financiare është e rëndësishme.
Volodymyr Shkurov: Ne vazhdojmë bisedimet, pas deklaratës që e ka bërë në Poloni jo vetëm ka deklaruar, por ka vepruar në mënyrë shumë të shpejtë, do të thotë që e ka bërë atë që e ka thënë. Sigurisht ne kemi një kontakt shumë të ngushtë me Bashkinë e Tiranës. Ekziston një vëllazëri mes bashkisë së Kharkiv-it dhe një kopsht dhe një shkollë flitet se do ndërtohen nga Bashkia e Tiranës. I vetmi problem që ka Kharkiv është se është një nga qytetet që po bombardohet më shumë.