Gjenerali shqiptar që mposhti Ratko Mlladiç dhe serbët në fushëbetejë dhe një sjellje e padenjë

2 Minuta Lexim

Nga Enver Robelli

Gjenerali i vërtetë dhe gjeneralët primitive!

Kosovari Rahim Ademi është i vetmi gjeneral në Kroaci i cili në fushëbetejë ka mposhtur kriminelin e luftës Ratko Mlladiq.

Rahim Ademi është i vetmi gjeneral kroat që i veshur me uniformë ushtarake dhe i shoqëruar nga presidenti i vendit Stjepan Mesiq vullnetarisht i është dorëzuar Tribunalit të Hagës pas një akuze banale për gjoja krime të luftës.

Tribunali i Hagës lëndën ia ka kthyer drejtësisë kroate për gjykim.

Drejtësia kroate e ka shpallur të pafajshëm Ademin.

Ka pasur tendenca që Rahim Ademit t’i ngarkohen faje për krimet që i kanë kryer oficerët kroatë.

Rahim Ademi nuk është dorëzuar.

Në liri ai ka shkruar një libër mbi luftën në Kroaci dhe rolin e tij.

Këtë libër me titullin “Vetëm e vërteta” e ka shkruar për shkak se historiografia zyrtare ka minimizuar rolin e tij.

Pa rezistencën e organizuar nga gjeneral Ademi, qyteti bregdetar i Shibenikut do të ishte pushtuar nga forcat e Ratko Mlladiqit.

Pa rolin e tij prej strategu, forcat kroate nuk do t’i kishin futur nën kontroll aq shpejt territoret e pushtuara nga njësitë serbe.

Shoqata e veteranëve të luftës vetëmbrojtëse të Kroacisë e ka shpallur librin e gjeneral Ademit si veprën më të mirë mes 16 veprave të tjera mbi temën e luftës së Kroacisë për pavarësi.

Tani Shoqata e Gjeneralëve Kroatë nuk ka lejuar që në zyrat e saj Ademit t’i dorëzohet dekorata e artë e shoqatës së veteranëve të luftës së Kroacisë për librin e shkruar prej tij.

Të vërtetat e hidhura që përmend Ademi në librin e tij duket se disa gjeneralëve kroatë nuk u kanë pëlqyer.

Bëhet fjalë kryesisht për gjeneralë që fushëbetejat i kanë parë shpesh përmes televizionit.

Pas këtij skandali gjeneral Ademi ka vendosur të braktisë shoqatën e gjeneralëve primitivë kroatë.

Mirënjohja i është dorëzuar gjeneralit Ademi në një bibliotekë të Zagrebit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull