Deizi Arapi ka përfunduar sërish në polici. Këtë herë jo për sherret e zhurmën në lagje, por si një prej 16 personave të dyshuar për djegien e mjetit të Marsel Buçit, ngjarje e ndodhur rreth orës 02:30 të mëngjesit të sotëm.
‘Gangsterja’ e Bilishtit, vetëm 27 vjeçe, u akuzua nga Urim Buçi, babai i Marselit si personi që i ka djegur mjetin djalit të tij.
Ai tha se Deizi e ka ofenduar djalin e tij vetëm dy ditë pasi asaj i kishin djegur makinën, ngjarje e ndodhur më 25 shtator të këtij viti. Bashkë me Arapin, në pyetje në komisariatin e Bilishtit, po merren edhe 15 persona të tjerë.
Automjeti i llojit “VolksWagen” në pronësi të Marsel Buçit është shkrumbuar teksa ishte parkuar para shtëpisë së tij, rreth orës 02:30. Marsel Buçi është punonjësi i karburantit që u akuzua më herët nga Deizi Arapi si autor i zjarrvënies së mjetit të saj, ngjarje e ndodhur më 25 shtator të këtij viti.
Ende nuk dihet se kush fshihet pas kësaj ngjarjeje, por hetuesit janë të bindur që zjarri ka qenë i qëllimshëm. Deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar për asnjërën nga mjetet e djegura.