Të gjitha luftërat kanë një fillim, një faze kulmore dhe një fund. Tradita mund të sugjerojë se faza kulmore ose e mesme – zhvillimi një lufte – është pjesa më e vështirë. Në fakt, pjesa më e vështirë është dhënia fund e një lufte me drejtësi.
Fred Ikle e shpjegon kështu në librin tij “Çdo luftë duhet të përfundojë”:Nëse vendimi për t’i dhënë fund një lufte, do të buronte vetëm nga një llogaritje racionale rreth fitimeve dhe humbjeve për kombin në tërësi, nuk do të ishte më e vështirë të dilej nga një luftë sesa të hyhej në një tjetër.
Problemi është se në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me një llogaritje të arsyeshme. Përshkallëzimi i veprimeve të presidentit rus Vladimir Putin pas dështimeve të ushtrisë së tij në fushën e betejës, e bën shumë të qartë pikëpamjen e Ikle. Putini nuk mund ta pranojë atë që pjesa tjetër e botës e sheh si të qartë:Ai ka humbur shumë, dhe po humbet akoma më shumë.
Për më tepër, nëse aleatët do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën siç janë zotuar ta bëjnë, dhe nëse Ukraina do të ruajë shpirtin e saj luftarak, Vladimir Putini do të vazhdojë të humbasë. Mobilizimi i pjesshëm rus nuk do t’i ndryshojë realitetet në fushën e betejës, madje edhe nëse do të funksiononte më së miri, gjë që është e dyshimtë.
As përdorimi i armëve bërthamore taktike, nuk do të prodhonte një rezultat pozitiv afatgjatë për Rusinë. Në fakt, do të ndodhte e kundërta. Megjithatë, Putin nuk është i gatshëm të pranojë objektivin e tij strategjik për të nënshtruar Ukrainën, edhe pse realiteti që ai e mohon po bëhet i dukshëm për të tjerët:një ushtri e mundur në luftime, një ekonomi e dobësuar nga sanksionet, dhe një shoqëri dhe oligarki që po fillon të plasaritet.
Çfarë do të thotë kjo për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatët e Ukrainës?
Së pari, duhet të vazhdojë lufta dhe sanksionet. Forcat ukrainase duhet të vazhdojnë ofensivën e tyre metodike e të mirë-koordinuar në rajonin e Luhanskut, të përdorin sulmet e kufizuara për të dobësuar pozicionet ruse në rajonin e Donjeckut, dhe ta zgjerojnë kundërofensivën në jug për të arritur rezultate të ngjashme me ato në veri.
Ndërkohë aleatët, duhet të vazhdojnë me sanksionet dhe mbështetjen e tyre të plotë për forcat e armatosura të Ukrainës. Nëse krijohet mundësia e negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë, kjo gjë do të ndodhë falë shumë sukseseve në fushën e betejës dhe sanksione gjymtuese ndaj Moskës.
Së dyti, negociatat midis aleatëve, dhe mes tyre dhe qeverisë Zelensky – të kryera në fshehtësi – duhet të gjejnë një zgjidhje që për ta përbën një fund të kënaqshëm të kësaj lufte. S’ka asnjë dyshim se agresioni i Putinit dhe krimet e luftës nuk mund të tolerohen.
Sepse, siç shkroi edhe eksperti i përfundimit të luftërave, Hans Goemans në një artikull të kohëve të fundit në “The New Yorker”, pasojat e luftës në Ukrainë janë të mëdha, dhe “ato do t’i japin formë pjesën tjetër të shekullit XXI”.
Mund të jetë e lehtë të arrihet një marrëveshje mbi atë që duhet të ndodhë pas luftës: vetëvendosja, sovraniteti politik dhe integriteti i territorial i Ukrainës, si dhe forcimi i parimit të mosndërhyrjes. Por do të jetë më e vështirë të gjendet konsensusi se si do të shkohet deri aty.
Për shembull:a do të bien dakord aleatët dhe Ukraina që të ndalen luftimet pasi rusët të dëbohen me forcë në pozicionet e tyre të para 24 shkurtit, duke lejuar që fati i zonave të pushtuara në vitin 2014 nga rusët të vendoset nga negociatat?
Apo të gjithë janë dakord që luftimet duhet të rikthejnë nën kontrollin e Kievit të gjithë territorin e ligjshëm të Ukrainës, përfshirë zonat e pushtuara në 2014? Apo ka konsensus mbi një kurs të mesëm – luftë për rivendosjen e kufijve të para 24 shkurtit, duke treguar përmes sulme të vazhdueshme por të kufizuara, se rusët do të humbasin Donbasin dhe Krimenë e pushtuar, por do të ndalen në një moment për të lejuar zhvillimin e negociatave?
Sigurisht, Putin ka një “ndikim” të rëndësishëm në çdo opsion. Por udhëheqësit e vendeve aleate dhe ata ukrainas duhet të jenë të qartë mes tyre se si synojnë të arrijnë qëllimet e tyre
në këtë luftë. Por diskutimet duhet të përfshijnë edhe një përshkrim të kushteve dhe mjedisit të nevojshëm për negociata:ndoshta krijimin e një zone sigurie që i ndan forcat ndërluftuese, dhe që parashikon vendosjen e një kapaciteti fillestar të garantimit të sigurisë.
Në fund negociatat mund të prodhojnë marrëveshje të tjera. Mund të ketë një marrëveshje të ngjashme me atë të Dejtonit, që mund të përfshijë një zonë të çmilitarizuar, dislokimin e një force paqeruajtëse afatgjatë, si dhe masa për ndërtimin e besimit për të ulur gjakrat, stabilizuar sigurinë dhe për të lehtësuar suksesin në fazën e pasluftës.
Këto bisedime të brendshme midis aleatëve dhe Ukrainës, duhet të vazhdojnë edhe pse vijojnë luftimet në terren. Pra nuk ka një opsion “as/ose”. Së fundi, a janë liderët e vendeve aleatëve dhe të Ukrainës dakord me statusin që do të ketë Putin dhe Rusia në fund të luftës? Ky element është shumë i rëndësishëm. Putini mund të jetë duke menduar të marrë masa për mbrojtjen e vetes.
Që ta njohë realitetin ashtu siç është, ai duhet ta pranonte humbjen dhe të tregonte dobësitë e tij. Por tiranët nuk mund të bëjnë asnjërën. Ata presin të qëndrojnë në pushtet apo edhe të jetojnë. Ndërsa drejtësia kërkon që Putin të çohet në Hagë për krimet e luftës, një qasje e matur sugjeron shqyrtimin e një rruge tjetër.
Ndoshta aleatët mund të negociojnë përmes një pale të tretë për largimin e sigurt të Putinit jashtë vendit, gjithnjë nëse kushtet në fushën e betejës dhe në Rusi e krijojnë këtë mundësi. Por edhe nëse nuk është i mundur ky opsion, mund të bëhet diçka e përafërt.
Problemi është se aleatët dhe Ukraina mund të jenë në gjendje të arrijnë të gjitha ose shumicën e synimeve të tyre të mëdha strategjike dhe strategjike – rivendosjen e plotë të sovranitetit së Ukrainës dhe të ruajnë sanksionet global kundër agresionit – nëse janë të gatshme që sakrifikojnë pak drejtësi për arritjen e tyre.
Tek e fundit kjo është bota reale. Gjërat më pozitive mund të vijnë nga ndjekja e një qasje të matur në hapësirën midis drejtësisë dhe paqes, sesa vazhdimi i luftës deri në fund dhe rrezikimi i asaj që mund të sjellë një luftë e tillë. Tani për tani, Putini duhet të nënshtrohet përmes më shumë luftimeve dhe më shumë sanksioneve.
Nëse do të mungojnë këto, nuk do të ketë asnjë mundësi për t’i dhënë fund luftës. Rreziqet për Ukrainën, për Evropën, për SHBA-në dhe për mbarë botën janë shumë të larta për t’u kënaqur thjesht dhe vetëm me ndalimin e luftimeve. Pasi ky akt kjo do të shpërblente agresionin dhe krimet e luftës.
Aleatët dhe qeveria ukrainase duhet të fillojnë të mendojnë sesi të arrijnë synimet, pa u mbështetur tek një luftë më e madhe, skenar që nuk e dëshiron askush. Koha për negociata nuk është sot. Por ajo ditë do të vijë, ndoshta më shpejt se sa e mendojnë aktualisht shumë njerëz. Është mirë që aleatët dhe Ukraina të përgatiten tani.