Akuza për shpifje dhe fyerje, GJKKO dënon me 8 mln lekë ish-deputetin opozitar (EMRI)

3 Minuta Lexim

Ish-deputeti opozitar Artur Roshi është dënuar nga gjykata me 8 milionë lekë për shpifje dhe fyerje.

Mësohet se Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi caktimin e një mase administrative prej 8 milionësh, që duhet të paguajë ndaj shtetasit Ardit Cikuli, pasi ka shpifur në drejtim të këtij të fundit.

NJOFTIMI I GJYKATES
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara (kryesues), Nertina Kosova (anëtare) dhe Daniela Shirka (anëtare), sot më datë 13.10.2022, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 51 akti, datë 13.07.2022, mbi ankimet e paraqitura nga ankuesi/i akuzuari A.R. si dhe nga ankuesi/viktima akuzuese A.C., kundër vendimit nr. 16, datë 01.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
“1. Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit A.R., për veprën penale “Fyerja”, parashikuar nga neni 119/2 i Kodit Penal, lidhur me publikimin në profilin e tij në facebook të datës 17.05.2020, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.
2. Deklarimin fajtor të të akuzuarit A.R. për veprën penale “Shpifja”, parashikuar nga neni 120/1 i Kodit Penal, në dëm të viktimës akuzuese A.C., në lidhje me e-mail-in e datës 19.05.2020, dërguar në adresën e Drejtorisë Qendrore të {…} Bank, dhe dënimin e tij me 50.000 (pesëdhjetëmijë) lekë gjobë.
3. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të të akuzuarit…”.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 16, datë 01.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar përsa i përket deklarimit fajtor të të akuzuarit A.R., për veprën penale të “Shpifjes”, parashikuar nga paragrafi 1 i nenit 120 të Kodit Penal.
– Ndryshimin e vendimit si vijon:
– Dënimin e të akuzuarit A.R. për veprën penale “Shpifje”, sipas paragrafit 1 i nenit 120 të Kodit Penal dhe dënimin me 500.000 (pesëqind mijë) lekë gjobë.
– Deklarimin fajtor të të akuzuarit A.R., për veprën penale “Fyerja”, sipas paragrafit 2 të nenit 119 të Kodit Penal dhe dënimin me 500.000 (pesëqind mijë) lekë gjobë.
– Në bashkim të dënimeve, caktohet një dënim i vetëm në masën 800.000 (tetëqind mijë) lekë gjobë, e cila të paguhet me këst 25.000 (njëzet e pesë mijë) lekë në muaj në afatin 32 (tridhjetë e dy) muaj.
– Shpenzimet gjyqësore në masën 245.700 (dyqind e dyzetë e pesë mijë e shtatëqind) lekë i ngarkohen të akuzuarit A.R.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull