Varësia e madhe e ekonomisë shqiptare nga ndërtimi vjen bashkë me rreziqet që e shoqërojnë. Në deklaratën përmbyllëse të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar citohen një sërë faktorësh.
Kreditimi i lartë në monedhë të huaj dhe rreziku i rënies së kërkesës dhe çmimeve, sipas FMN, është real.
Fondi përshëndet përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të adresuar atë që e quan ‘hendekun domethënës të të dhënave financiare të sektorit të ndërtimit’ dhe bën thirrje për mbikëqyrje të shtuar për pasojat e ndikimit të këtij sektori në stabilitetin financiar të vendit.
Sipas zyrës ekonomike të OKB-së për Europën, ndërtimi gjatë vitit 2021 zuri 10.9 për qind të peshës së Prodhimit të Brendshëm Bruto, shifra më e lartë në rajon.
Raporti i Komisionit Europian nga ana tjetër thekson se pesha e ndërtimit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto për të njëjtin vit është 9.5 për qind dhe u nxit edhe nga procesi i rindërtimit nga pasojat e tërmetit.