NATO-ja nis sot stërvitjet për mbrojtje bërthamore

2 Minuta Lexim

NATO-ja ka nisur stërvitjet e rregullta për mbrojtje bërthamore në Evropën Perëndimore, në kohën e rritjes së tensioneve me Rusinë, të nxitura nga kërcënimet e presidentit rus, Vladimir Putin.

“Stërvitjet përfshijnë 14 shtete dhe mbi 60 lloje të pajisjeve, përfshirë aeroplanët luftarakë të kategorisë së katërt dhe pestë, si dhe pajisjet për vëzhgim”, ka thënë aleanca 30-anëtarëshe përmes një deklarate, duke shtuar se këto “aktivitete rutinore” – që zgjasin deri më 30 tetor – kanë qenë të planifikuara edhe para nisjes së luftës në Ukrainë dhe nuk janë të lidhura me situatën aktuale.

Stërvitjet do të zhvillohen mbi Belgjikë, Britani dhe Detin Verior.

“Koncepti i ri Strategjik i NATO-s, i miratuar nga vendet aleate në Samitin në Madrid, të mbajtur në qershor, e bën të qartë ‘se qëllimi i kapacitetit bërthamor të NATO-s është për të ruajtur paqen dhe për të luftuar agresionin’”, është thënë në deklaratë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka hedhur poshtë çfarëdo thirrje për të anuluar stërvitjet, meqë Putin e ka përkeqësuar retorikën bërthamore, pas humbjeve të forcave ruse kundrejt atyre ukrainase.

“Do të dërgonte mesazh shumë të keq nëse do të anulonim papritur një stërvitje rutinore, të planifikuar për kohë të gjatë”, ka thënë Stoltenberg javën e kaluar.

“Ne duhet të kuptojmë që qasja e vendosur e NATO-s dhe fuqia jonë ushtarake, janë mënyra e vetme për të parandaluar përshkallëzimin”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull