Roland Gjoza
·
MEVLAN SHANAJ PRISHËSI I FESTAVE
I thanë se do të festohej… Ai s’i degjoi mirë. Çfarë do të festohej? Përvjetori i 40-të i Televizionit Kombëtar. Unë skenarin, ai regjinë. Ç’kujtojnë këta, se do të bëjmë një surrogat feste? Unë s’ia vura veshin. E zuri Pallatin e Kongreseve për 24 orë. Rotondo. Kështu tha. Tani të presim. Fillon dhe mbaron në shtatë të mëngjesit. Kështu.
Më kujtohej rrugëve të Tiranës si në një dekor që e zotëronte, krah për krah me Sali Berishën, Azem Hajdarin e plot nismëtarë të pluralizmit, më dukej më i gjatë, me nje hap më të madh dhe, atë buzëqeshje, që kishte atëherë, s’ia pashë më. Podiumet ishin dhe për të, po ai ishte i pamjaftueshëm me veten. E pashë, po nuk e pashë më. I iku festës. Nuk e di përse. Natasha Lako, deputete e Partisë Demokratike dha dorëheqje. Nuk i pashë për disa vite. Ishin ne Suedi. Pas 97-tës, të zhgënjyer, pa e lënë të spikatej kjo ndjenjë, jo aq e të fortit, i pashë të dy në Bulevardin e Madh. Nuk kishin qëndruar, ishin kthyer. Ishte koha që të gjithë i kishin sytë për larg. Iknin përditë. Edhe unë po bëhesha gati të ikja. Të dy në Televizion, në një redaksi, në atë të filmit artistik. E kisha shef, po më fort shok. Kështu shef ishte më shumë shok. Dhe erdhi kjo koha e festës së madhe të Televizionit. Kërkonin ta bënin me pompë. Punoni se honorari do të jetë i kënaqshëm. Kemi gjetur shumë sponsor. Ju beson? më pyeti Mevlani. Unë se bëj për para, më tha, po paratë do t’ua kërkoj. Do të më dalë shkuma. E di. E bëj më tepër për ca miq që e meritojnë këtë festë. Dhe më përmëndi disa emra artistësh të Televizionit, vërtet të talentuar. Do të marrin nga një antenë statuete si çmim, një shenjë kjo, nuk është keq. E kishte një nerv. Një nerv të fortë, që të jepte dhimbje.
E kisha takuar kur kishte dalë nga Lidhja e Shkrimtarëve pas kritikave të forta për filmin Fletë të Bardha. Një film “nxirës realiteti” kështu u quajt, paralajmërues i asaj që ndodhi në 90-tën.
Prandaj e kisha parë përkrah demokratëve, sepse shpresonte në një përmbysje. Dikush mund të thotë; po ai dhe artistë të tjerë krijuan në diktaturë dhe ishin të përkëdhelurit e sistemit. Po ishin më të mirët. Më të talentuarit dhe u imponuan. Në vitet 80-të filloi të ndjehej një frymë tjetër, kërkoheshin më të talentuarit, më të aftit. Dikush mund të më kundërshtojë, ajo është punë e tij. Mevlan, i thashë, më pëlqeu shumë filmi. Urova dhe Natashën, së cilës ia kam admiruar penën e hollë, tejet moderne. Ngrinit probleme, probleme të mprehta, zëre se pashë një film të huaj. Mevlani më rrahu krahët, u prish në fytyrë; Pse s’jemi si gjithë bota, xhanëm?… I kishte këto “kryengritje” vëllazërore, do t’i quaja, se atij si merrej për keq asgje, çuditërisht kishte gjak tejet të ëmbël.
Në 98-tën, kur u vra Azem Hajdari, e kam parë në Televizion brënda. Nuk dilte. Ishte nga ata që thërrisnin; Mos vini dorë mbi Televizionin, vandalë! Kishin ardhur për ta djegur. Pastaj ndërruan mëndje. Mevlanin e nxorrën zvarrë nga Televizioni ca të panjohur, sepse të gjithë ata që e pushtuan ishin fytyra të papara ndonjëherë, militantë partish, njerëz te revoltuar që kërkonin të përmbysnin edhe njëherë komunizmin. Edhe Mevlanin e quajtën komunist. Ç’farse! Kjo erë po vinte, ndarja si me thikë e demokratëve dhe e komunistëve, ndarje me një vije demakracioni e vetë popullit! Kështu fshihej më mire lufta për pushtet e lidërve. Mevlani edhe kësaj radhe donte të prishte yrrja- byrrjanë e grushtshtetasve që kishin ardhur në Televizion me tanke. Ishte një njeri i çuditshëm, i lindur kundër rrymës. Kështu dukej. Ai nuk ishte më ai që qëndronte në krah të protagonistëve të demokracisë, të emrave të njohur të saj, ai kaloi nga përkrahës në i veçuar, nga tribunal në vetminë e monologut, nga i njohur që duhej të jepte kontribut, në individ problematik që kishte punë me alteregon e vet. I kishin cënuar integritetin e personalitetit. E kishin lënduar aty ku të dhëmb më shumë. Ai s’mund të çirrej; Ju njoha, s’ju dua më! Sepse ai ishte aktori, regjisori, bashkëskenaristi ( me Natashën ) mud të vinte maskën, po atë e kishte flakur njëherë. S’vuri maskë se nuk ishte e nevojshme. Ishte Mevlan Shanaj. E kishte një goxha emër. Kaq mjaftonte.
Ishim, pra, në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve, prova, ecejake, plot njerëz, Mevlani i rraskapitur, një burrë i bukur, siç ka mbetur edhe tani, ndonëse vitet kanë bërë tutje, puthje, perqafime, se në këtë mënyrë dinte t’i bënte punët. Iknin orët, rrokulliseshin bujshëm, prap ngjiteshin rrokupujshëm, si në ep, se në art s’ka ditë, javë, po punë rrënuese për të mbërritur në majë ( ah, sa ëndërrohet ajo majë!) dhe rënia pastaj, se punët bëheshin një dreq i mallkuar. Roland, 11 vetë do të marrin antenë, pra çmim, kaq. Janë vërtet më të mirët. Jam i kënaqur. Pse 11, i them unë. Po sa? Ai më shikon si një mjeshtër çirakun e vet zevzek. 12, aq ishin. Kush është i dymbëdhjeti? Unë qesha; Ti. Po s’ka lidhje me Krishtin. Unë jo, tha, më mjafton që po bëj regjinë e këtij spektakli, jam pritës kësaj radhe, i miqve të mij që i dhanë peshë këtij Televizioni, atyre të vërtetëve.
Dhe këtu na u shfaq Sizifi, në rrokullimën e tij poshtë. Jo, nuk është e thënë të bëhen gjërat. Festat s’i shkonin Mevlanit. Ç’kishte ndodhur? Të pakënaqurit i kishin zënë derën drejtorit. Të gjithë donin antena. Vinin me pusulla letrash nga drejtori. U çmend Mevlani, turfullonte; më kanë prerë në besë, thoshte. Më mbushën me pusulla idiote. Nuk e kuptojnë këta njerez që nuk janë të gjithë njëlloj? Ishin ca aparatcikë, ca gjellues praktikë në atmosferën e artit; të shout, koncertit, spektaklit, filmit, po kurrsesi artistë. Por duke jetuar me artistë ishin bërë artistë. Keshtu ju thoshte mëndja. Dhe ta shikoje si i griste ai egërshan pusullat që nisnin me fjalët; Të lutem, Mevlan, shikoje punën e filanit, se ka tërë jetën në Televizion…” Si i griste e i grinte me gishtërinj gjithë pezm, i flakte në ecje e sipër, ndërsa ai i pusullës e ndiqte nga pas, i urtë e i përulur, vetëm që të çonte në shtëpi atë statuetë e të mburrej. Po edhe pse i griste pusullat s’ia merrnin për keq. Ç’ishin të këqija për tjetrin; nervozizmi, urrejtja,përbuzja, i kishte false dhe kjo i kuptohej nga sytë e mbushur me zemër. Zemër blu në jeshile. Keni parë zemër të tillë? U zu me drejtorin. Ishte gati t’i linte të gjitha, t’ia mbathte. Po se linin ata të njëmbëdhjetë dhe ky vetë i dymbëdhjeti që kishte hequr dorë. Nuk e kam pare ne dite me te keqe. Po prap puthej e perqafohej se nuk e linte gjaku i embel. Kur dilte ndonje nga ata te pusulles ne skene, ai peshperiste; vazhdon po ajo metode si ne komunizem, s’heqim dore nga punetori i dalluar, militanti i partise. Dhe na çanë veshët se ka ardhur demokracia, o burra, u bë deti kos! U zu dhe me ata të pusullave, ua tha copë në sy, sikur t’i thoshte hurit se ishte hu. Ashtu ishte ai njeri, gati të përveshte mëngët e t’ia niste grushtit.
Pastaj erdhi puna e honorarit. Një javë, një muaj, dy, asnjë shenjë. U ngjit lart në Televizion një ditë dhe doli prej andej i grisur e i rrahur, me një blanë mbi vetull. I kanë përlarë hajdutët e drejtorisë! Më kupton? S’ka honorare, mos prit më kot, i kanë pirë me kurva!
U mor me dokumentarë; “Rruga ime,” ” Bibla dhe kurani,” ” Shkronjat e pavarësise,” ” Përcjellje,” xhiroi filmin; ” Lule të kuqe, lule të zeza.”
Erdhi në Nju Jork në një Festival ku fitoi çmimin e madh dhe më telefonoi. U mblodhem nje grup shokësh dhe shkuam për të parë filmin. I zgjata dorën, doja ta përqafoja, më shtyu lehtë, nuk donte. Kushedi përse i kishte mbetur hatri.. I tillë ishte, e kërkonte të pastër vëmëndjen, dashurinë e shokëve, donte t’i jepeshe plotësisht. O, Mevlan, i them tani, atëherë kisha tetë muaj pa punë dhe kisha rënë shpirtërisht, se nuk më dilte, po ai nuk donte t’ia dinte nga këto. Sepse atij burri i ecte, ose burrërrisht dinte t’i printe ecjes. U prish dhe kjo festë. Ç’ka Mevlani? Po ai nuk ma zgjati. Nuk u takuam më.
Si atëherë në Gjirokastër. Kishte ardhur me një ekip për të parë vendet e xhirimit. Nuk e dija. Unë ndodhesha atje për një dokumentar për Lazaratin. Ishte ajo nata që na kishin nxjerrë përjashta në korridor çantën dhe kamerën. Një njeri i ruante. Na falni, po sapo erdhi një grup anglez. Në mesnatë takova Mevlanin me një gotë përpara në hollin e madh të hotelit tjetër. Jemi në një hotel, tha që mund të hidhet në erë. Pronari është në hasmëri. S’ka njerëz perveç nesh dhe jush. Si të vinte grupi anglez këtu? Bëhej skandal ndërkombëtar, ndërsa ne jemi lëkurë e vjetër vendi, një gajde, a shark çobani. Pastaj shtoi; I kam të gjitha gjërat kundër, po filmi do të bëhet, sepse po të dojë filmi bëhet ose s’bëhet. Kishte pirë ca. Krisma, të xhirosh nëpër krisma,të shkelësh kudo gëzhoja. Plumba qorr, pse jo, edhe mund shkosh. I lutem Mevlanit ( prisja të thoshte, zotit ) të më japë tërë fatin që më ka mbetur për të bërë këtë film. Veçse është koha më anti, që di. Më anti dhe në pikpamje të gjendjes. Është e pandryshueshme. Luftë me shumë Mevlanë, me shumë Natasha, me shumë Yllka, me shumë gota. Dhe në luftë bëhet. Pastaj nuk e di pse më shau. Me tha se për shkakun tim ishte rrënuar redaksia e filmit. Unë kisha gisht dhe në fundin e kësaj nate.
E prishi dhe atë festë të vogël me mua. U gdhimë, ai sikur s’më kishte thënë gjë, unë me një mëri që do të më mbante gjatë.
Megjithëse kaloi atë infarktin duke xhiruar filmin, pastaj shtrimi në një spital grek, operacioni dhe profecia se Mevlani kishte patur ende fat për filmin. Gjallë. Atë njeri s’ke si të mos e duash. Ka lindur per tu dashur. Ai s’di gjë që tek ty fle një mëri, e quan kotni. Sepse ai është prishës festash. Kini kujdes kur e ftoni në ditëlindje. S’ka faj ai, po… Hipi mbi tryezën e gjatë dhe ju mbajti një fjalim të ftuarve të kamur, atyre që ishin bërë të pasur për pak vjet. Dhe të mendoje se ata sojlij të dyshimtë kishin me vete dhe të dashurat, veshur e ngjeshur me spikame. S’duroi dot hipokrizinë, poshtërsinë, krimin që fshihet tek një pasurim i shpejtë dhe ia shkrepi, si ia tha ajo e Mevlanit, për të prishur festën. Miku që festonte ditëlindjen nuk mundi të bënte asgjë. Sepse Mevlani xhironte, ishte në rol, në atë të vetin, karakterit të burrit, ishte cënuar, lënduar dhimbshëm në atë që e shikonte si trysni të keqe shoqërore, pasurimin e rrufeshëm të disave dhe rrënimin e shumicës, të popullit të vuajtur, të gënjyer, që merrte rrugët e kurbetit..
Atje majë tryezës mbeti edhe kur u zbraz ajo se kishte punë me veten. Ai kishte kohë që hahej me veten. S’mund të heshte. Pastaj ndodhi infarkti. Pastaj ai filmi që fitoi çmim të madh në Amerikë.
Dhe kjo e fundit; Mevlanin e qëllojnë në Pogradec për ta vrarë. Po pse? Për një vend parkimi. Çudi, kaq lehtësisht? Jo! Sepse ai pakuptuar u bën hije të famshëve të rinj, atyre që kanë hotele, që kanë vënë pasuri dhe i përmendin… Ç’janë të famshëm duhet të kenë kujdes nga kinse të famshmit. Ky soj është shtuar shumë.
S’mund tu hysh në lokal ashtu krenarisht pa faj, siç mund të hyjë Mevlani, ky i vërtetë, se ai kinsi të bën gjëmën, ja, vetëm për kaq. S’mund të ngreje zërin Mevlani, se nuk është koha e tij ( ai e kishte dje ) sot e kanë të paemrit. Po Mevlani s’pyet, ai prish festat!