Ne një mbledhje pompoze me pjesmarrjen e të gjithë hierarkëve të drejtësisë së re dhe ambasadorëve më të rëndësishëm në vend, në pallatin e kongreseve, i është dhënë fund mbylljes së shkallës së parë të procesit të Vettingut. Trupa që ka kaluar në sitë rreth 800 gjykatës dhe prokurorë, në 31 dhjetor mbetet e papunë. “Ne do i shërbejmë vendit në detyra të tjera të rëndësishme”, tha gjatë fjalës së tij në konferencë Roland Ilia (në mes në foton lart), kreu i fundit i KPK-së.
Por, sikurse Ilia, i cili sipas një investigimi të fundit të PLUG, ka qenë kandidat për deputet i Erion Veliajt (G99), po ashtu edhe motra e Belinda Ballukut, Pamela Qirko (djathtas në foto), që e ka drejtuar KPK para tij, apo Genta Tafa Bubgo dhe trupat e tyre, janë akuzuar shpesh që kanë bërë gjykime me dy standarte duke lënë në sistem njerëzit e partisë në pushtet dhe përjashtuar prej tij të dyshuarit prej saj.
Si shpërblim për këtë përpjekjeje nuk është çudi që ata të gradohen në poste të larta brenda hierarkisë së drejtësisë.
Çuditërisht, ky mbarim mandatesh i njerëzve besnikë, të cilëve u duhet gjetur punë, po shoqërohet me një përpjekje tejet të dyshimtë për të hapur tre vende të reja në Gjykatën Kushtetuese, pëmes procedurave aspak ortodokse.
Fillimisht, askujt nuk i ra në sy fakti se në fund të shtatorit një anëtare kushtetuese, Elsa Toska, dha një dorëheqje krejt të dyshimtë për “arsye personale”. Më pas një burim tja për Lapsi.al se asaj i kishin bërë presion për të liruar një vend, por kjo gjë nuk u konfirmua me asnjë fakt. Gjithësesi pandehma se loja po luhej shumë më sipër supeve të brishta dhe shpatullave të pambrojtura të saj u dyshua kur filloi një shernajë juridike nëse mandati i Toskës mbaronte në vitin 2025 apo në 2028. I njëjti debat u rindez edhe për fatin e kryegjyqtares kushtetuese Olta Zaçaj. Disa pretendonin se asaj i përfundonte mandati në fillimim të vitit të ardhshëm dhe të tjerë se kjo ndodhte në fund të 2025. Kjo çështje po gjykohet ende në Kushtetuese me opinione pro dhe kundër. Por atë tentoi ta zgjidhë me një me një “puç kushtetues” kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, që është njëkohësisht edhe organi i emërtesës së pasardhësit të Zaçajt.
Çfarë ndodhi?
Ndonëse është e përcaktuar qartë se gara për pasardhësin hapet pasi vetë Kushtetuesja përcakton fundin e mandatit të një anëtari të saj, Sokol Sadushi me një qasje prej kamikazi, vendosi të marrë kompetencat e një gjykate më të lartë. Në vendimin e nënshkruar prej tij që lexoi Lapsi.al, ai argumentonte se e ka marrë këtë iniciativë, në mungesë të veprimit të Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e vakancës së Holta Zaçaj. E bukura është se Sokol Sadushi, në kohën që ka qenë vetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ka votuar pro vendimeve, të cilat mbështesnin qëndrimin se kohëzgjatja e mandatit të gjyqtarit kushtetues nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar/zgjedhur atë.
Po atëherë pse po ndodh kjo rrëmujë?
Pasi gjatë këtij viti, Sadushi një nga baballarët e reformës në drejtësi, njeriu më i fortë i Fatmir Xhafës në sistem, është njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Aty ai ka mundësinë të influencojë zgjedhjen e anëtarëve të rinj të kushtetueseses. (vullneti i tij nuk ka ecur vetëm në një rast, kur një oligark dhe politikan ushtroi shumë presion për të zgjedhur të preferuarin e tij).
Vetëm kështu spjegohet konflikti për 6 muaj më shumë apo më pak të Olta Zaçajt. Pra me faktin nëse pasardhësi i saj do të përzgjidhet gjatë mandatit të drejtimit të KED nga Sadushi, apo jo. Po ti shtojmë këtyre 2 vendeve vakante edhe disa nisma ende të pa ravijëzuara konkretisht për ti ndërprerë mandatin në mënyrë abuzive edhe gjyqtares Sonila Bejtja, e cila shpesh, me votë pakice, i është bërë digë qeverisë në çështje të vendimeve politike të marra në favor të saj, problemi kthjellohet edhe më tepër. Duket sikur Sokol Sadushi, drejtuesi i vetëm i institucioneve të pavarura që ka mbështetur Komision Xhafa me dërgim ekspertësh, do të ketë duar e lira për të vendosur tre gjyqtarë të rinj kushtetues, brenda 2025, vitit të sundimit të tij.
A ka lidhje kjo me sigurimin e një vendi pune për njerëzit e KPK, si ish kandidati për deputet i Erion Veliajt, apo motra e Belinda Ballukut, të cilës nuk po i mungon as ndihma mediatike? Mos vallë e gjitha po bëhet për ti gjetur, ashtu siç shkruajë të tjerë, një qoshte edhe Ardian Dvoranit, pas shërbimeve të panumurta që ka bërë?
Deri më tani për këto pandehma nuk ka asnjë fakt. Përkimi i vetëm është mbarimi i mandatit të shkallës së parë të vettingut në 31 dhjetor, me tentativat brutale për të hapur tre vende pune në Gjykatën Kushtetuese. Dhe për më tepër, loja nuk duket të jetë pastërtisht politike. Qeveria Rama e ka kapur prej kohësh Gjykatën Kushtetuese, e cila për turpin e saj është shndërruar në barcaletën e një drejtësie gjoja të pavarur. Pra kjo e bën të dukshme faktin se për këto manovra nuk janë të interesuar në lartësinë e epërme të pushtetit. Ato duken si kalkulimet e njerëzve të sistemit, për të kullufitur sa më shumë llokma brenda një institucioni të kapur, duke vënë aty njerëzit e tyre dhe duke shpërblyer ata që i kanë shërbyer. Jo më kot Roland Ilia kumtonte sot në mbledhjen e fundit të KPK-së: “Jemi të gatshëm të shërbejmë në detyra të reja”.