I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se në takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ka folur për Marrëveshjen e Ohrit që hapi rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.
Lajçak ka shkruar në platformën X se progresi i mëtejshëm “është në interes të Serbisë, Kosovës, Bashkimit Evropian dhe të ardhmes së tyre”.
“Në takimin tonë të fundit në rolin tim aktual me presidentin Aleksandar Vuçiç fola për gjendjen në dialog, theksova se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 hapi rrugën përpara drejt normalizimit.
Progresi i mëtejshëm është në interes të Serbisë, Kosovës, Bashkimit Evropian dhe të ardhmes së tyre”, është shprehur ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se në kuadër të Forumit Ekonomik në Davos të Zvicrës me Lajçakun ka diskutuar për të ardhmen e dialogut.
Vuçiçi ka shkruar në llogarinë e tij në “Instagram” se ka pasur një “bisedë të hapur” për sfidat e sigurisë me të cilat përballet siç ka thënë ai, “populli serb” në Kosovë.