Nga Edmond Arizaj-
Ai mund të hedhë në tavolinë 50 miliardë dollarë, të blejë Twiter (sot X), dhe prapë të jetë njeriu më i pasur i botës. Përgatitet të blejë edhe një pjesë të Tik-Tok.
Ai mund të bëjë gjeste “sieg heils” drejtëpërdrejtë në sytë e të gjithë botës dhe mos të ketë asnjë pasojë në një vend që humbi rreth 185 mijë ushtarë në përballje direkte me nazistët.
Ai mund të sulmojë, fyejë dhe poshtërojë këdo pa provokim, gjerman, anglez, kanadez, kinez, australian, thjesht se kështu do, thjesht se ka mundësi, dhe përveç ndonjë reagimi anemik nga i prekuri nuk rrezikon asgjë tjetër.
Ai është krejt pranë dhe do të mësojë më të këqiat dhe më të mirat nga njeriu më egoist, narçizist, arrogant e prepotent në krye të shtetit më të fuqishëm ushtarakisht në botë. Është 30 vjet më i ri por më shumë ambicioz, egoist, narcizist e arrogant.
Ai ka si vizion ndryshimin e botës, madje dhe të njerëzimit. Natyrisht sipas vizionit të tij.
Ai është I adhuruar në shumë vende të botës dhe nuk duket se do të njohë rënie.
Ai (shembull) nesër mund të blejë gjithë Shqipërinë dhe brenda pesë ditësh të ndryshojë gjithë politikat 100 vjeçare të Europës dhe Amerikës për Ballkanin duke pështjelluar gjithçka. Të njëjtën gjë mund të bëjë në Azi dhe në Afrikë.
Ai mund të grumbullojë fuqi të paimagjinueshme, duke rreshtuar pas vetes gjithë Silikon Valley, duke kërkuar dhe marrë leje për iniciativa që e bëjnë “pushtimin” e Marsit lojë me kartona.
Ai po mësohet shumë shpejt me servilizmin, përuljen, frikën e plot njerëzve të fuqishëm në shtete po aq të fuqishme, thjesht i duhet ta mbajë mend këtë.
Ai i bën gjërat krejt ndryshe nga të tjerët dhe nuk pranon të tërhiqet nga ideja edhe nëse dështon 1 mijë herë.
Ai mund të ketë pas fare pak kohësh sjelljen e një Zoti të plotfuqishëm që i vendos vetë rregullat, që nuk ka ndalesë për asgjë dhe që mund të bëjë e provojë gjithçka.
Ai është gjenial dhe zakonisht gjenitë nuk shkojnë mirë me njerëzimin.
Ai as që do t’ia dijë për të majtë e të djathtë, për ide e ideologji. Ai ka idetë dhe ideologjinë e tij, që duket nuk synon vetëm Marsin.
Ai nuk ka lidhje me politikën, me diskutimin, me tërheqjen dhe lëshimin, me buzëqeshjen, me negociatat ku palët bien dakort për të humbur nga pak; ai është si Aladini me llampën në dorë, e do një gjë dhe mjafton thjesht të lëvizë dorën dhe të thotë “unë dua”. Në fakt, duhet pranuar ai është edhe Aladini edhe llampa.
Ka nisur një epokë që mund të jetë e artë si tha Trumpi për Amerikën, por e qymyrtë për shumë vende të tjera. Apo në përpjekje për ta bërë sërish të madhe Amerikën, do ta zvogëlojnë atë. Kjo mbetet për t’u parë. Kurreshtja më e madhe duhet të jetë Musk. Nuk duket se ai ka ardhur për të qëndruar vetëm katër vite. Dhe nuk duket se idetë e tij janë thjesht për të ndarë zona influence mes perandorive.
Ai duket se pëlqen të jetë perandori dhe jo një nga perandorët.