I shtruar në spital në Athinë prej 20 ditësh, ja si paraqitet gjendja shëndetësore e kryepeshkopit Anastas

2 Minuta Lexim

Gjendja e Kryepeshkopit Anastas Janullatos paraqitet më e qëndrueshme, ndërsa vijon të qëndrojë i shtruar në spitalin e “Ungjillëzimi” të Athinës prej 20 ditësh.

Lajmi është bërë me dije, nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, ku pas një operacioni kirurgjikal që ka bërë sot ka shkuar për vizitë përfaqësuesi i Patriarkanës Ekumenike në Athinë, Mitropoliti i Laodikesë, Theodhorit.

Mitropoliti i Laodikesë, u takua me Episkopin e Krujës, Anastas, dhe me priftërinjtë që e shoqëronin, në Kishën e Ungjillëzimit, në spital, ku kryen së bashku një lutje për shëndetin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Shqipërisë.

“Hirësia e Tij i përcolli Episkopit të Krujës, z. Anastas, urimet e Patriarkut Ekumenik, si dhe urimet e tij personale. Hirësia e Tij, Episkopi i Krujës, e vuri në dijeni për gjendjen shëndetësore të Kryepiskopit, e cila mbetet e qëndrueshme, me një përmirësim të vogël. Më tej, ai shprehu falënderimet e tij të përzemërta për interesimin, lutjet dhe urimet e Patriarkut Ekumenik, duke i kërkuar atij që t’a falënderojë Patriarkun Ekumenik përzemërisht dhe me respekt për interesimin e treguar”, thuhet në njoftim.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos ndodhet prej 30 dhjetorit të 2024-ës i shtruar në spital, fillimisht në Tiranë për shkak të një viroze stine. Ndërsa në 3 janar pasi gjendja e tij shëndetësorë u përkeqësua u transferua me një avion special në Athinë, në spitalin Evangelismos.

Më 10 janar dhe pas përkeqësimit të një hemorragjie gastrike, ai iu nënshtrua një operacioni dhe u intubua. Gjendja e tij ishte cilësuar kritike, por e qëndrueshme nga ekipi i mjekëve që e trajtojnë, të udhëhequr nga profesoresha e Mjekimit Intensiv, zonja Anastasia Kotanidou.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull