Ushtarakë serbë do të marrin pjesë në paradën e Moskës, Vulin: Kemi luftuar bashkë, krenar të jemi krah Putinit

2 Minuta Lexim

Zv.kryeministri serb, Aleksandër Vulin, ka konfirmuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të marrë pjesë në ceremonitë e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë.

Në një intervistë për agjencinë ruse TASS, Vulin deklaroi se Serbia nuk ka pranuar presionet për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të ngushta.

“Perëndimi po na bën presion prej tre vitesh që t’i vendosim sanksione Moskës, por nuk e kemi bërë këtë.

Presidenti Putin është një lider që nuk duhet ta takosh, sipas tyre, por unë e kam takuar dy herë dhe e konsideroj këtë si kulmin e karrierës sime. Është një nder i madh të jesh me të, veçanërisht në Ditën e Fitores,” tha Vulin.

Ai konfirmoi gjithashtu se ushtarë serbë do të marrin pjesë në paradën ushtarake në Sheshin e Kuq me urdhër të presidentit Vuçiç.

“Duke pasur parasysh se ne luftuam së bashku në Luftën e Dytë Botërore dhe dolëm fitimtarë, pjesëmarrja jonë në paradën ushtarake është krejtësisht normale,” theksoi ai.

Vulin shtoi se Serbia dhe Rusia janë ndër të vetmet vende evropiane që vijojnë të festojnë Ditën e Fitores më 9 maj, ndërsa Bashkimi Evropian e njeh këtë datë si Ditën e Evropës.

“Nuk është Dita e Evropës, është Dita e Fitores. Nëse të tjerët nuk e konsiderojnë veten si të mundur, është çështja e tyre,” tha ai.

Lajmi për praninë e Vuçiçit dhe të forcave të armatosura serbe në Moskë vjen në një kohë të tensionuar për marrëdhëniet ndërkombëtare, me presionin e Perëndimit ndaj Serbisë për të distancuar politikën e saj nga Rusia.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull