Numri i viktimave dhe të lënduarve po përcaktohet, ndërsa po kryhet inspektimi. Prokurorët nga Shkupi dhe Prokuroria për Krim të Organizuar janë në Koçan për t’u vënë në dispozicion të hetimeve, njoftoi Prokuroria Publike e RMV-së.
Numri i të vdekurve në zjarrin e diskotekës në Koçan po përcaktohet, ndërsa hetimi është në vazhdim, njoftoi Prokuroria Publike.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme për agjencinë e lajmebe MIA, në zjarr kanë humbur jetën të paktën 50 persona.
“Të gjitha shërbimet kompetente, përfshirë edhe një prokuror nga Prokuroria Themelore Publike Koçan, janë në terren. Numri i viktimave dhe të lënduarve në zjarr po përcaktohet. Ende po ndërmerren veprime dhe po kryhet inspektimi. Kryeprokurori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe prokurorët e Prokurorisë Themelore Publike Shkup dhe Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, janë rrugës për në Koçan. Prokuroria në Koçan do të ketë në dispozicion të gjitha kapacitetet e prokurorive për veprim të menjëhershëm”, njoftoi Prokuroria Publike e RMV-së.
Zjarri ka shpërthyer rreth orës 3 të mëngjesit në diskotekën “Puls”, ku po mbahej një koncert i grupit maqedonas DNK, në të cilin ishin të pranishëm mbi 1.000 vizitorë.
Shumica e të lënduarve në zjarrin e diskotekës në Koçan janë dërguar në spitalin e përgjithshëm të qytetit, ku ende po u jepet ndihmë mjekësore.
Për shkak të seriozitetit të lëndimeve të marra si pasojë e zjarrit dhe thithjes së tymit, rreth shtatëdhjetë nga të lënduarit janë transferuar në Spitalin Klinik të Shtipit, në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” dhe në klinikat e Shkupit.
Ministria e Punëve të Brendshme po ndalon të gjithë ata që në çfarëdo mënyre janë të lidhur me organizimin e koncertit në diskotekën në Koçan, ku gjatë natës ndodhi një zjarr i madh, i cili sipas vlerësimeve paraprake ka marrë jetën e 51 personave.
Në vendngjarje, përveç ministrit Pançe Toshkovski, kanë mbërritur edhe drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizat, Stojançe Angelov, dhe drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev. Është paralajmëruar edhe ardhja e kryeministrit Hristijan Mickoski.