Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesat e disa prej të pandehurve të dosjes së aferës Partizani, për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi. Kërkesa ishte paraqitur nga ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, Andia Pustina, të cilët në seancën e 24 prillit vijuan me taktikat e zvarritjes, duke kërkuar përjashtimin e gjyqtares për njëanshmëri.
Por, sot gjyqtarja Etleva Deda vendosi rrëzimin e kërkesave, pasi nuk gjeti shkaqe të përligjura mbi kërkesat e avokateve.
Seanca paraprake e rradhës për dosjen “Partizani” do të zhvillohet më 5 maj ku pritet të vendoset kalimi ose jo për gjykim.
Dërgimi në gjyq i dosjes do të ishte përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë shqiptare. Berisha ndodhet në masë “detyrim paraqitje”, ndërsa dhëndri i tij Malltezi po hetohet në arrest shtëpie , i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Nga privatizimi i klubit sportiv ku përfitues ishte dhëndri i Berishës, u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh. Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.