Celibashi thirrje komisionerëve dhe numëruesve: Deri sonte në mbrëmje, të ketë mbaruar numërimi i votave për gjithë Shqipërinë!

1 Minuta Lexim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje partive politike që kanë anëtarë në KZAZ dhe në GNV të marrin përgjegjësinë që u takon për të nxitur numëruesit dhe komisionerët në KZAZ-të ku ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave, që ky proces të përfundojë brenda afatit ligjor.

Sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, procesi i numërimit të votave për gjithë Shqipërinë duhet të përfundojë deri në orën 24:00 të ditës së sotme. “Nuk ekziston asnjë arsye që ky proces të mos përmbyllet brenda këtij afati”, thotë deklarata.

Duke njohur dhe respektuar të drejtën e kandidatëve për deputet për të vëzhguar dhe mbikëqyrur procesin e numërimit, KQZ i fton ata të shmangin çdo përfshirje në komunikime të panevojshme apo ushtrim presioni ndaj numëruesve dhe komisionerëve.

Përgjegjësia për mosfinalizimin në kohë të procesit i takon plotësisht partive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë dhe po ndërmerr të gjitha përpjekjet për të garantuar mbarëvajtjen dhe përfundimin e procesit.

“Nëse situata nuk do të ndryshojë brenda afatit të përcaktuar, me keqardhje njoftojmë se të gjithë personat përgjegjës do të përballen me sanksione ligjore”, vijon deklarata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull