Kosova ne kerkim te qeverise:Albin Kurti ne ndeshje basketbolli, si tifoz me Bedri Hamzen

5 Minuta Lexim
E kam ditur gjithmonë që “Trepça” bashkon, e kur “Trepça” luan me “Bashkimin” atëherë nuk ka fije dyshimi😀. Ani kur të shihet edhe duke honger bashkë – u kry, s’ka ma fjalë hiç 😀😀😀!
Pa shaka, vetë Albin Kurti e ka publikuar një foto me Bedri Hamzën gjatë kësaj ndeshje basketbolli.
Këto fotografi nuk do të thonë se koalicioni LVV-PDK është punë e kryer, por personalisht mendoj se politikanët dhe partitë politike në Kosovë duhet të mësojnë të bashkëpunojnë për të mirën e vendit, por edhe për të mirën e komunave dhe pushtetit lokal, gjë që nuk ka ndodhur gjithmonë.
Personalisht po ashtu besoj se zoti Kurti moti i ka ra pishman që politikanët opozitarë i ka quajtur “hajvanë”. Besoj, por nuk e di.
Megjithatë unë mendoj se kjo fjalë totalisht pa lidhje, sikur edhe ato “mizat”, “lodhjet” etjerë… që me siguri e kanë helmuar opinionin, nuk janë problemi kryesor për bashkëpunim.
Problem janë qëndrimet përjashtuese dhe gabimet nga e kaluara – të njërës apo palës tjetër. Problem është mungesa e mirëbesimit, problem është fakti që LVV ka pasur deri tani mbi 50% të votave, ndërsa tani ka nevojë për partnerë në koalicion. E kjo do të thotë kompromise, do të thotë ndarje e pushtetit. Kur them ndarje pushteti mendoj në bashkëveprim dhe jo përpjekje për mashtrim të tjetrit.
Sa i përket simbolikave, pikërisht politikanët janë ata që duhet të dalin publikisht dhe të dërgojnë sinjale bashkëpunimi, sinjale bashkëveprimi, sinjale pajtuese në të mirë të vendit. E nëse vlerësohet se është në të mirën e vendit, pse të mos bashkëpunohet. Hapi i parë do të ishte mbase kontrollimi i daljes në opinion të atyre që nuk mund dhe nuk dinë ta kontrollojnë veten!
Disa politikanë po bëjnë më shumë sherr sesa dobi, me deklaratat e tyre!
Martesat bëhen (kryesisht) nga dashuria, e koalicionet (kryesisht) nga interesi!
Kjo që po them nuk është thirrje për koalicion dhe nuk do të thotë se LVV dhe PDK tani po bëjnë koalicion! Nuk është as thirrje për bashkëpunim apo koalicion LVV-LDK, apo çfarëdoqoftë koalicioni tjetër, nuk është as thirrje për koalicion të opozitës, sepse thjesht nuk dua të përzihem në punët e brendshme partiake.
Por është thirrje, është apel, ështo lutje personale, për uljen e tensioneve, zbutjen e retorikave pa lidhje, për kompromise dhe për hapjen e rrugës për krijimin e institucioneve.
Nuk e di a e dini, por CDU dhe SPD kanë kritikuar shumë njëra-tjetrën në mandatin e kaluar dhe gjatë fushatës, ja tani në qeveri bashkë!
Kosova nuk e ka luksin të humbë një miliard euro fonde, të rri nën sanksione, të mos ketë komunikim normal mes partive dhe në veçanti me Shqipërinë, Amerikën, BE dhe në përgjithësi faktorin ndërkombëtar. Kosova duhet urgjentisht të krijojë institucionet dhe të nisë një dialog të mirëfilltë me Shqipërinë dhe partnerët… sa për fillim!
Zotin Kurti e kam takuar për herë të parë në vitin 1997 në kohën e demonstratave të studentëve. Kam biseduar disa here me te (madje edhe në kushte tërësisht të pazakonshme) dhe e di paaaak si mendon.
E di që e ka vështirë të ndryshojë mendje, besoj se disa gjëra nuk do t’i ndryshojë kurrë, por besoj dhe shpresoj po ashtu se Kurti e di që në politikë ka dhe disa rregulla të tjera. As zoti Kurti, as Bedri Hamza, as LVV, as PDK, as LDK, akush nuk ka të drejtë të mbajë Kosovën peng!
P.S. (Kjo është shaka natyrisht)
Hajde tash, më futni edhe mua më ndonjë koalicion, apo ma jepni ndonjë rrogë nga Albini, nga PDK, LDK, AAK, Serbia, Rusia, BND, Mosadi e ku di unë …

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull