Donald Trump “shpërthen” ndaj Elon Musk: Më zhgënjeu…

2 Minuta Lexim

Presidenti amerikan, Donald Trump shprehu hapur pakënaqësinë e tij për qëndrimin e Elon Musk, pas kritikave publike që kreu i Tesla-s bëri ndaj “Ligjit të Madh dhe të Bukur”, i cili mbështetet nga Shtëpia e Bardhë.

Musk ka shprehur herë pas here kundërshtime, duke argumentuar për një rritje të deficitit.

“Ne kishim një marrëdhënie të shkëlqyer me Elon. Nuk di nëse e kemi më,” tha Trump në deklarata nga Zyra Ovale, pak më pak se një javë pas fjalëve të ngrohta që shkëmbyen të dy në ditën e fundit të Musk në Shtëpinë e Bardhë.

“Jam shumë i zhgënjyer nga Elon,” theksoi presidenti amerikan për gazetarët, duke shtuar:

E kam ndihmuar shumë.” Ai theksoi se Musk njihte mirë përmbajtjen e ligjit: “E njihte çdo aspekt të këtij ligji. E njihte më mirë se pothuajse kushdo tjetër dhe nuk pati kurrë kundërshti, derisa u largua,” tha Trump.

Trump tha se kundërshtia e Musk ka të bëjë me faktin se “reagoi vetëm pasi kuptoi se do të duhet të ulet kuota e detyrueshme për automjetet elektrike,” duke nënkuptuar se interesat biznesore të Musk ndikojnë në qëndrimin e tij.

Njëkohësisht, Trump vijoi me akuza ndaj miliarderit, duke lënë të kuptohet se ndryshimi i qëndrimit të Musk lidhet me largimin e tij nga administrata. Sipas Trump, shumë nga ish-bashkëpunëtorët e tij sulmojnë qeverinë vetëm sepse u mungon pushteti dhe vëmendja.

“Do të jem i sinqertë: mendoj se i mungon ai ambient,” tha për Musk, i cili ka dalë nga roli këshillues. “Njerëz largohen nga administrata ime dhe na duan. Por me kalimin e kohës, disa e përballojnë mirë, të tjerë bëhen armiqësorë.”

Trump tha se ky është një model i njohur: “E kemi parë edhe me të tjerë. Largohen, zgjohen një mëngjes dhe kuptojnë që shkëlqimi është zhdukur. Gjithçka duket ndryshe dhe bëhen armiqësorë. Nuk di pse ndodh.”

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull