Përfitojnë 177 mijë pensionistë në Tiranë, nis aplikimi i të moshuarve për abone falas

2 Minuta Lexim

Nis aplikimi i të moshuarve për abone falas në kryeqytet.

“Jam 74 vjeç, po aboneja më duhet se vazhdoj punoj. Zgjedhja ime sepse pensionin e kam të vogël, 178 mijë. Për ne është ndihmë e madhe se harxhoj 80 Lekë vajtje-ardhje”, tha pensionistja.

Si kjo e moshuar janë edhe me dhjetëra të tjerë të cilët janë paraqitur pranë njësive administrative për të aplikuar për abone falas.

“Jam 82 vjeç, qarkulloj sepse edhe dalim mërzitemi, edhe kjo është një ndihmë shumë e madhe për ne”, tha një i moshuar.

“Unë jam në një moshë madhore 80 vjeç. Kjo është një ndihmë shumë e madhe”, tha një e moshuar.

Përfaqësues të njësisë administrative thonë se interesi i të moshuarve për t’u pajisur me abone falas është e lartë.

“Interesi ka qenë i lartë me dhjetëra pensionistë janë paraqitur. Brenda 24 orëve janë 65 regjistrime”, tha Erjola Ndoci, përgjegjëse e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse, njësia 10.

Pas aplikimit me kartë identiteti, pensionistët duhet të tërheqin abone vetëm në 5 pika të autorizuara nga Bashkia e Tiranës dhe që janë të shpërndara në kryeqytet.

“Konkretisht janë 5 pika të tërheqjes së aboneve, kioska tek 15 katëshi, rruga “Urani Pano”. Pika e dytë tek Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, rruga “Muhamet Gjollesha”. Pika e tretë tek Biblioteka Kombëtare, rruga “Luigj Gurakuqi”, tek kioska tek “Brryli” bulevardi Zhan D’Ark , tek Stacioni i Trenit, rruga “Reshit Petrela””, tha Ndoci.

Deri në fund të Dhjetorit pensionistët mund të aplikojnë për të përfituar abone falas. Janë 177 mijë pensionistë që prietet të përfitojnë nga vendimi i Bashkisë së Tiranës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull