Melania Trump kthehet në heroinë për ukrainasit

2 Minuta Lexim

Pas deklaratave të Donald Trump, ku ai la të kuptohej se Zonja e Parë e SHBA luajti një rol vendimtar në ndryshimin e qëndrimit të tij ndaj Rusisë, Melania po bëhet heroinë për ukrainasit.

Duke folur të hënën në Shtëpinë e Bardhë, gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenti amerikan tha se bashkëshortja e tij i kishte tërhequr vëmendjen për hipokrizinë e Vladimir Putinit.

“Bisedat e mia me të (Putinin) janë gjithmonë shumë të këndshme. Them: a nuk ishte një bisedë e mrekullueshme? Dhe pastaj në mbrëmje lëshohen raketa”, tha Trump.

“Shkoj në shtëpi, i them Zonjës së Parë: Fola sot me Vladimirin. Bëmë një bisedë të shkëlqyer. Dhe ajo më thotë: Vërtet? U godit edhe një qytet tjetër.”

Melania Trump, me origjinë nga Sllovenia dhe e rritur në ish-Jugosllavi, në të kaluarën është shfaqur më mbështetëse ndaj Ukrainës sesa bashkëshorti i saj, i cili në shkurt të këtij viti e quajti Volodymyr Zelenskyy diktator.

Pak pas fillimit të pushtimit rus në vitin 2022, ajo u kishte bërë thirrje ndjekësve të saj të mbështesnin “Kryqin e Kuq”, duke deklaruar se ishte “shumë tronditëse dhe e tmerrshme të shohësh njerëz të pafajshëm të vuajnë”.

Sipas The Guardian, pas deklaratave të fundit të Trump, një përdorues i rrjeteve sociale postoi një foto me titullin “Agjentja Melania Trumpenko”, që tregon Melanian me një xhaketë dhe kapelë që i fsheh fytyrën, si të ishte një agjente sekrete në Shtëpinë e Bardhë në shërbim të Kievit.

Ndërkohë, revista Business in Ukraine komentoi: “Ka shumë dashuri sonte në rrjetet sociale për Melania Trump”, ndërsa në sfond është njoftimi se SHBA do të dërgojë sisteme Patriot në Ukrainë.

Në një meme tjetër, Zonja e Parë e SHBA qëndron pas Trump-it në Zyrën Ovale ndërsa ai nënshkruan një dekret presidencial, me mbishkrimin: “Motrat Melania të Bene Gesserit”, një referencë ndaj vëllazërisë së fuqishme nga romani fantastiko-shkencor i Frank Herbert, Dune.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull