Edhe tentativa e 50-të për të konstituuar Kuvendin e Kosovës ka dështuar, duke thelluar krizën institucionale që po zvarritet prej javësh. Mungesa e konsensusit mes partive politike vazhdon të jetë pengesa kryesore për formimin e institucioneve të reja.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se përpjekja e radhës do të zhvillohet të mërkurën, në orën 11:00.
Në thelb të bllokadës mbetet mosmarrëveshja për krijimin e komisionit që do të organizonte votimin për kryetarin e Kuvendit. LVV këmbëngul për kandidaturën e saj, Albulena Haxhiu, dhe për një votim të fshehtë, ndërsa PDK, LDK, Lista Serbe, AAK dhe Nisma vazhdojnë të kundërshtojnë.
Në seancën e sotme, nga 104 deputetë të pranishëm, vetëm 53 votuan pro ngritjes së komisionit, numër i pamjaftueshëm për miratimin e tij.
Kjo situatë vjen vetëm pak ditë përpara përfundimit të afatit kushtetues 30-ditor, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin KO124/25, i cili kërkon që Kuvendi të konstituohet brenda datës 26 korrik 2025.