Incident në Detin e Zi, aeroplani rus qëllon në drejtim të avionit britanik

2 Minuta Lexim

Një avion luftarak rus qëlloi pranë atij britanik në Detin e Zi, duke rrezikuar përshkallëzimin e situatës mes Moskës dhe Perëndimit. Incidenti ndodhi më 29 shtator, por u raportua këtë të enjte nga ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, gjatë fjalës së tij në parlament.

Wallace tha se avioni i Forcës Ajrore Mbretërore po kryente një patrullim rutinë në Detin e Zi kur u qëllua nga dy avionë rusë Su-27. Sipas tij, avionët rusë kishin 90 minuta që po e ndiqnin aeroplanin britanik.

“Ia kam komunikuar shqetësimin drejtpërdrejt homologut rus, Shoigu dhe Shefit të Shtabit të Mbrojtjes në Moskë”, tha Wallace.

“Në letrën time e bëra të qartë që avioni ynë ishte i paarmatosur dhe po fluturonte në hapësirë ajrore ndërkombëtare, përmes një itinerari të bërë publik më parë.

Vendosa se ishte më mirë të ndërprisnim patrullimet deri sa të merrnim një përgjigje nga ana e shtetit rus”.

Wallace tha se përgjigjja nga Moska mbërriti më 10 tetor, ku pretendohej se në drejtim të avionit britanik ishte qëlluar për shkak të një “defekti teknik”.

“Kemi të bëjmë me një president dhe në fakt, edhe forca ruse, që kalojnë përtej përllogaritjeve të gabuara… për ta rregullat nuk kanë kuptim”, tha Wallace.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull