Baza e armëve në Elbasan: Dalin fotot e të arrestuarve, dyshohet se do të vrisnin biznesmenin e njohur

2 Minuta Lexim

Drejtoria e Policisë së Elbasanit në bashkëpunim me Prokurorinë arritën të parandalojnë ekzekutimin e një biznesmeni të njohur në Qarkun e Elbasanit.

Burime për Abc bëjnë me dije se policia e Elbasanit ka marrë informacion se Luis Gaxha dhe Rigers Spahiu po përgatiteshin për të ekzekutuar një biznesmen të njohur në Elbasan.

Të njëjtat burime konfirmojnë se për “kokën” e biznesmenit ishte paguar edhe Nuredin Dumani, i cili ka rrëfyer gjithçka pas arrestimit.

Në momentin e ndërhyrjes për arrestimin e dy personave të rrezikshëm Luiz Gaxha dhe Rigers Spahiu, policia e Elbasanit ka sekuestruar një arsenal të madh armësh.

Më konkretisht, u gjetën:

• 4 armë zjarri kallashnikovë, dy prej të cilave të modifikuara dhe me silenciatorë;

• 3 pistoleta me silenciatorë;

• 2 mina me telekomandë, të gatshme për t’u aktivizuar për shpërthim me komandim në distancë, nëpërmjet aparateve celulare;

• Kapsolla detonatore;

• Një sasi lënde plasëse, e dyshuar “C4”;

• 4 aparate celulare;

• Sasi e konsiderueshme municioni luftarak, blindshpues.

Armët u gjetën në banesën e shtetasit Luis Gaxhi në lagjen “Gurabardhi” në Elbasan, teksa Rigers Spahiu dyshohet si bashkëpunëtor.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, ekzistojnë indicie të bazuara në prova, se armët dhe minat e telekomanduara do të përdoreshin për ekzekutimin e personave, për llogari të grupeve kriminale të evidentuara nga ana e Policisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull