Marcello Veneziani
Kur është kryer kalimi i së majtës nga kundërpushteti në pushtet, nga Sheshi në Pallat? Çfarë ka ndodhur që e shndërroi një forcë antagoniste të kapitalit në një rojë të kuqe të kapitalit dhe pjesë integrale të shtresës sunduese? Që kjo ka ndodhur e pranojmë, por na shpëton kalesa çelës.
Treguesit sipërfaqësorë janë të shumëfishtë dhe madje tepër të njohur: në Lindje dështimi i përvojave komuniste, në Perëndim kolapsi i shtetizmit asistencial; në rrafshin intelektual perëndimi i Marksit dhe i idesë së Revolucionit, ndërsa në rrafshin social përfshirja e militantëve, agjentëve dhe zyrtarëve të së majtës në aparatin publik, në sektorin privat dhe në sistemin e drejtësisë, në shkollë, në universitet, në editori, në spektakël. Përfshirje që, përveç efekteve të njohura politike e ideologjike, solli edhe “borgjezimin” e pashmangshëm të shtresës progresiste dhe ngritjen në detyrë në establishment.
Këtë proces mund edhe ta periodizojmë: ka ndodhur pas 68-s, gjatë viteve ’70, duke u përhapur dhe shtrirë më pas në vitet në vijim derisa të integrohej dhe ndërdepërtohej me pushtetet dhe institucionet. Përfitimi qe i dyanshëm: kapitalit i dha një “ndërgjegje të mirë” në kuptimin etik dhe legjitimitet kulturor në drejtim të emancipimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut e qytetarit, ndërsa së majtës i dha një fuqi ndikimi dhe ndalimi, si dhe lidershipin kulturor e civil.
Por e gjitha kjo ende nuk shpjegon arsyen kryesore të krushqisë anormale mes së majtës dhe kapitalit, puqjen tok të dy hegjemonive: të pushtetit ekonomik dhe pushtetit kulturor. Çfarë e përcaktoi këtë aleancë? Synimi i përbashkët për të zëvendësuar botën e përbashkët të bazuar në realitetin konkret me një botë uniforme të bazuar në dëshirat e induktuara. Me fjalë të tjera: dëshira e së majtës për një botë të re dhe nevoja e kapitalit për tregje të reja.
Si ndodh ky ndryshim? Duke fshirë, duke zhvlerësuar, duke thyer lidhjet, kufijtë, caqet: ato që tek e majta i quajnë emancipim, çlirim, progres, ndërsa në zhargonin kapitalist i quajnë zhvillim, konsum, modernizim. Fjala çelës e të dyjave është çrrënjosja. Identiteti shpërbëhet: njeri i lirë quhet ai që nuk ka lidhje as përkatësi, njeriu “i rrjedhshëm” në një botë “të lëngshme”, i projektuar në dëshirat e tij, por pa lidhje me trashëgiminë e tij dhe me natyrën e tij; njeriu i lidhur me kohën dhe me web-in e tij, por i shkëputur nga vendi i tij dhe nga lidhjet me komunitetin e tij. Në këtë mënyrë ai bëhet qytetar i botës, njeri pa kufij (edhe seksualë), individ i emancipuar dhe global, sipas ëndrrës konverguese të internacionalizmit të majtë dhe të globalizimit kapitalist.
Ky konvergim ka një ndikim të qartë social: t’i shpallësh luftë botës së përbashkët, realitetit, natyrës, kontekstit në të cilin njeriu ka jetuar gjithmonë. Shkurt do të thotë të shkëputesh nga popujt dhe rifillosh nga elitat. Oligarki ekonomike dhe financiare, politike dhe intelektuale, armike të gjykimeve të shëndosha, të ndjenjave të përbashkëta, të rrënjëve popullore dhe të lidhjeve njerëzore. Është rebelimi i elitave për të cilin shkroi më 1994 një sociolog i kthjellët amerikan, Cristopher Lasch, duke imituar‘Rebelimin e masave’ të Ortega y Gasset-it (1930).
Në veprat e tij Lasch-i vërente atë që vëzhgues të mprehtë tanët me prejardhje të përkundërt, si Augusto del Noce dhe Pierpaolo Pasolini,e kishin përkapur tanimë: protestuesit, revolucionarët, e majta radikale i shpallnin luftë kapitalizmit, porse më pas luftonin patriotizmin, fenë, familjen tradicionale, me pretendimin se kësi soji godisnin zemrën dhe prapavijat e kapitalizmit. Lufta e tyre, përkundrazi, ishte tërësisht funksionale për kapitalizmin, i cili donte të rrëzonte pikërisht ato barriera dhe të hiqte qafe ato lidhje që i kundërviheshin instaurimit të një shoqërie përfundimisht të çrrënjosur individësh të vetmuar, pré e lehtë e konsumizmit. Edhe Marksi te ‘Manifesti’ e kishte shpjeguar se me kapitalizmin “shprishen të gjitha marrëdhëniet shoqërore të qëndrueshme e të ngulitura tok me koncepte dhe ide të nderuara tradicionale si bishtra të tyre”. A nga topitja, a nga mendjemadhësia, a nga pabesia,e majta e ka injoruar ‘Manifestin’ e Marksit (jo autor reaksionar) dhe është bërë vrasëse me pagesë e shoqërisë tradicionale me bekimin e kapitalit.
Duke fshirë besimtarët, familjarët, patriotët, mbeten vetëm konsumatorët: të mallrave dhe të ideologjive. “Çlirohesh nga tradita vetëm për t’iu nënshtruar tiranisë së modës”, vëren Lasch-i në esenë ‘Kundër kulturës masive’. Liria qëndron në të zgjedhurit mes markash, produktesh, “opinionesh paraprakisht të gatshme dhe ideologjish të përftuara prej opinionbërësish”.
Procesi do të kryhet, vinte re Lasch-i këtu e tridhjetë vjet më parë, “duke shkatërruar kujtesën kolektive, duke zëvendësuar një autoritet të përgjegjshëm me një “star system” të ri”, sot do të thoshim me ndikuesit e opinionit publik dhe fabrikat e konsensit të manipuluar. Do të mbetet si një kënaqësi iluziore “narcisizmi masiv”, për të cilin Lasch-i shkroi te ‘Kultura e narcisizmit’: është opiumi i ri i popujve, të reduktuar në një format single para pasqyrës, me fjalë të sotme një smartphone.
Lasch-i uronte krijimin e një aleance për t’i rezistuar asimilimit, çrrënjosjes dhe modernizimit të detyruar. Për Simone Weil-in kush është çrrënjosur çrrënjos. Për Lasch-in “çrrënjosja çrrënjos gjithçka, përveç nevojës për rrënjë”.
Ja tek është pika e shkrirjes mes së majtës dhe kapitalit: në shprishjen e lidhjeve natyrore, fetare dhe komunitare, shprishje e propaganduar si emancipim dhe çlirim nga përbindëshat. Të heqin gjithçka dhe pastaj të thonë: ke më pak pesha dhe lidhje, tani je i lirë të vraposh. Më pas të tregojnë edhe se ku të vesh, çfarë të blesh dhe nga ç’rrugë t’i biesh.