Nga THOMA NIKA
“Avazi i Mukos” na ka ardhur gabimisht si një shprehje me ngarkesë negative. Është krijuar përshtypja se “avazi i Mukos” është baraz me ”t’i biesh në një vrimë”. Edhe unë kështu e dija, derisa jo rastësia, por domosdoja, e solli që të flisja me Katina Belerin për figurën e lartë e të ndritshme të Neço Mukos.
Katina ishte korife dhe udhëheqëse e këngës polifonike, që Sarandës i erdhi nga Himara dhe i dha lezet e autenticitet projektit kulturor “Merrm’, o Val’, o Det”.
Duke u zhytur në kujtimet e gjyshit të saj Koço Çakalli, që ishte pjesë e grupit të Neço Mukos, me zërin që i dridhej prej emocionit, Katina më tregoi se në Himarë, kur u bëhej për të kënduar, thuhej:
– A ia marrim avazit të Mukos??
Që përkthehej si ftesë për të bashkuar zërat në atë “avaz”. Si Ai. Si Ata, të njohurit si “Miqtë e Dëfrimit”, në Sarandën e mbi 4 mijë banorëve.
Gjithçka ndodhi në ditëlindjen e Neço Mukos, në 123-vjetorin e tij. Dhe ndodhi që na u ndriçua të gjithëve ky gjeni, i cili Sarandës i dha aq shumë nga talenti prej kolosi të Polifonisë dhe prej Muzikëtari të rrallë. Krijoi aq shumë e aq bukur. Të paktë janë ata që e dinë se mjaft nga serenatat korçare, apo qindra vargjet e këngët, edhe sot aq popullore: “Vajza e valeve”, “Katina-nina-nina”, “Marika”, “Hyri prilli, shkriu bora”, “Lule je, lule të thonë”, “Do këndoj, po m’u zu gryka”, “Korçarja e bukur”, “Kanakarja”, “Saranditja” etj., etj., janë të penës brilante të Neço Mukos. Jemi me fat që një pjesë e mirë e tyre ai na i la të shkruara e të botuara përmbledhtas në librin “Lyra”. Libri i rrallë u ribotua, si një porosi e Bashkisë Sarandë, enkas për eventin e 21 tetorit 2022, shoqëruar me CD-në e këngëve, që sa herë i dëgjon, aq herë i pëlqen. “Avazi” i këngës së Bregut, aq e dallueshme në drithërimën, në kreshtat e vijës melodike, në lirizmin, në dhimbjen dhe dashurinë, ka gjithashtu autorësinë e tij. Analizën e këtyre diferencave mes këngës së Bregut dhe labçes, apo këngës çame, e bëri në mënyrë elokuente studjuesi dhe poeti Timo Mërkuri.
Neço Muko vuri shpirtin dhe zërin në çdo krijim dhe la aq shumë emër e produkt, kur jetoi aq pak.
Pati vetëm 35 vite jetë, nga të cilat vitet më intensive i ndau mes Sarandës dhe Parisit. Ai u nis nga Saranda dhe rregjistroi fillimisht 12 disqet e parë e më pas 21 të tjerë, me grupin e vet, me këngën e bukur të Bregut. Pllakat e gramafonit u rregjistruan në shoqërinë diskografike franceze “Pathe”, rregjistrime në të cilat bëri pjesë edhe artisten e madhe Tefta Tashko Koço, asokohe studente në Montpelje.
Studjuesi Niko Kotherja tregoi gati me dhimbje detajin historik për tregtarin sarandiot, që kishte marrë përsipër sponsorizimin e rregjistrimit. Ai vërtet pagoi shpenzimet, por disqet me këngë i sekuestroi e i shiti vetë shumë shtrenjtë dhe të gjitha fitimet i mori për vete. Ama Grupit të Neço Mukës i mbeti emri dhe fama. Pas kësaj, jeta artistike në Sarandë u ndez më e zjarrtë.
Pllaka memoriale, që gjen tani çdo kalimtar përbri ndërtesës së filialit të Postës Shqiptare në Sarandë, i vendos gjërat në kohë dhe hapësirë. Atje ishte skena e koncerteve dhe shfaqjeve, që Shoqëria Muzikore-Teatrale “Pif-Paf”, e krijuar dhe e drejtuar nga muzikëtari Neço (Nestor) Muko, dha në vitet 1927-1934. Shoqëria e tij, përveç që solli gjallërimin e jetës folklorike e artistike, nxiti talente në fushën e këngës, komedisë etj. Prof Josif Papagjoni e cilësoi Neço Mukon si një “ndër brilantët e paarritshëm të këngës popullore himarjote, mjeshtri i isopolifonisë, këngëtari me zë të bukur, tenor, me vibrato të pakrahasueshme”.
Neçua i bëri të gjitha: tekstet e këngëve, dramaturgun, aktorin dhe regjisorin. Ai vuri në Sarandë disa shfaqje letrare muzikore, të mbushura me hare, gëzim e humor.
Prof. Papagjoni e veçoi atë për meritën e kultivimit të operetës apo komedisë muzikore, ilustruar kjo me shfaqjet “Marrëzi e përgjithshme”, “Zonja shërbëtore”, “Kriza çpik marifete” dhe “Princesha Iris”. Ai bëri qasjen mes kësaj tradite të gati 100 viteve më parë dhe përtëritjes së saj me komeditë muzikore plot sukses, që vuri në skenë Estrada Profesioniste e Sarandës, nën regjinë e Thoma Milait.
Këtu rrinë të gjitha arsëyet pse Neço Mukon shekujt e ikur vetëm e afrojnë dhe e bëjnë të vlerësuar e të dashur ndër ne, që jetojmë në të njëjtin truall dhe klimë ku ai ndezi jetën artistike të këtij qyteti: me isopolifoni, me komedi muzikore, me teatër e karnavale. Tradita e karnavaleve mbahet gjallë në disa qytete të vendit. Saranda nuk e ka. Por Saranda ka dhuratë nga Neço Muko atë që nuk e kanë të tjerët: Hymnin e festës së Karnavaleve. Edhe ky është i shkruar në një prej pllakave të gramafonit të rregjistruar në Paris. E dixhitalizuar me teknikat e sotme, ajo iu dorëzua Kryebashkiakut Gurma gjatë veprimtarisë dedikuar Neço Mukos. Kjo pronësi autentike, është një shtysë e mjaftueshme që Saranda t’i kthehet një tradite të bukur e të dashur. Klasa e ardhur nga shkolla “9 Tetori”, që shoqëroi zbulimin e pllakës memoriale me një performancë karnavalesh, tregoi se thëngjijtë nuk janë fikur. Edhe nën hirin e harresës së gjatë, ata rrinë ndezur.
Sikundër i tërë Projekti i zhvilluar ishte një plotësim detyrimi për të shpluhurosur nga pluhuri i rënë në gati 90 vite, figurën dhe veprën e Kalorësit të Kulturës, Neço Mukos.
Le të bëjmë “avazin e Mukos”. Dhe kemi bërë të duhurën, të kërkuarën.