Të pavarur, por ende pa firma mbështetëse nga zgjedhësit! Celibashi: Asnjë kandidat opozitar s’ka tërhequr formularët

2 Minuta Lexim

Kandidatët e pavarur që mbështeten nga opozita për zgjedhjet e 9 nëntorit në 5 bashkitë që janë pa kryetar, duhet të mbledhin firma mbështetëse nga zgjedhësit e zonës së tyre, si e vetmja formë që të regjistrohen në zgjedhje.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha për Report TV se deri më tani, asnjë nuk është paraqitur në KQZ dhe bën thirrje që të vijnë të marrin formularin.

“Kandidati i pavarur duhet të marrë firma mbështetëse nga jo më pak se 1 % e zgjedhësve të bashkisë përkatëse. Deri më tani nuk kemi asnjë kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga Komitete Nismëtare apo kandidatë të pavarur që përfaqësohen nga këto Komitete Nismëtare për tu regjistruar si i tillë për zgjedhjet për 5 bashkitë e tjera”, – tha Celibashi.

Ndonëse kandidatët e Matit, Cërrikut, Beratit, Vlorës dhe Tepelenës mund ta bëjnë këtë që tani, Florjan Binaj në Tiranë, nuk mund ta nisë mbledhjen e mbi 7000 firmave, pasi KQZ nuk i jep formularët zyrtarë për sa kohë pas vendimit të Kushtetueses, pezulloi të gjitha procedurat për kryeqytetin.

“Për Tiranën, aktualisht, askush nuk mund t’i mbledhë nënshkrimet sipas formularit që duhet t’i vendosë në dispozicion KQZ, dokument sipas kërkesave të Kodit Zgjedhor, as nuk mund të plotësojnë dhe as ta dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, u shpreh kreu i KQZ.

Këtë sfidë nuk e kanë 5 kandidatët socialistë për kryebashkiakë të cilët për shkak se mbështeten nga Partia, mund të regjistrohen lehtësisht.

FIRMAT E NEVOJSHME SIPAS BASHKIVE
TIRANË                  7 200
VLORË                   1 719
BERAT                      822
CËRRIK                     388
MAT                          291
TEPELENË                  127

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull