Gabriel Guma, kandidati i PD për bashkinë Tepelenë/ Tritan Shehu: Shpresa e re për një qytet me zhvillim dhe dinjitet

2 Minuta Lexim

Partia Demokratike ka zyrtarizuar kandidaturën e Gabriel Gumës për kryetar të Bashkisë Tepelenë në zgjedhjet e pjesshme vendore.

Në një postim në facebook, drejtuesi politik i PD në qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu thotë se kjo kandidaturë është mbështetur gjerësisht nga opozita pasi Guma vjen si një figurë e re, me energji dhe ide të qarta për të nxjerrë Tepelenën nga një periudhë të gjatë të keqmenaxhimit dhe stagnimit.

“Pas vite errësire dhe korrupsioni për tepelenasit, sot ekziston një shpresë e re. Gabriel Guma është një i ri i lindur, rritur dhe edukuar në këtë qytet. Një profesionist me integritet, i cili ka zgjedhur të qëndrojë dhe të kontribuojë për zhvillimin e trevës ku është rritur,” – u shpreh Shehu.

Arkitekt me profesion dhe me përvojë konkrete në projekte zhvillimi urban, Guma prezantohet si një alternativë reale për ndryshim. Ai nuk është një kandidat i sjellë nga jashtë apo i regjistruar së fundmi, por një banor autokton, që ka ndërtuar jetën dhe familjen në këtë qytet.Sipas Shehut, Guma nuk ka qenë përfitues i sistemit aktual, nuk vjen me “thesin e tenderave”, por me vullnetin dhe vizionin për të ndërtuar një administratë të ndershme, efikase dhe në shërbim të qytetarëve.

Fushata e tij është përqendruar në angazhime konkrete për rritjen e transparencës në administratë, përmirësimin e infrastrukturës, mbështetjen për të rinjtë dhe zhvillimin e potencialeve të shumta natyrore e turistike që ka zona e Tepelenës.

“Gabriel Guma nuk kërkon të fitojë për të përfituar, por për të shërbyer. Ai është një nga ju, një qytetar i zakonshëm me ide të qarta për një Tepelenë më të mirë. Prandaj, duke e votuar Gabrielin, fiton Tepelena”, shkruan ndër të tjera  Shehu.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull