Elvis Shkambi, i riu që i mori jetën gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit ka rrëfyer momentet që e shtynë drejt aktit të rëndë.
Para grupit hetimor ai tha se në momentin që gjyqtari Kalaja dha vendimin, ndjeu se i ishte sosur durimi pas një sërë padrejtësisht, që sipas tij i ishin bërë atij dhe familjes Shkambi lidhur me pronën që zotërojnë prej vitesh.
“Në momentin që u shpall vendimi, u ndjeva keq, mu errën sytë. Nxora pistoletën që kisha me vete dhe qëllova. Më ishte sosur durimi. Ky ishte akti i fundit pas padrejtësive që po kryheshin me pronën që unë dhe familja ime zotëronim”, u shpreh Shkambi.
Sipas 30-vjeçarit, gjithçka ndodhi në një moment të errët emocionale ku pas shpalljes së vendimit nxori armën që e mbante me vete dhe filloi të qëllonte në drejtim të qytetarët.
Gjatë dëshmisë, ai tha se kishte ende municione me vete, mirëpo teksa ishte duke qëlluar mbi babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj kuptoi se çfarë po bënte dhe si rrjedhojë ndaloi duke dorëzuar më pas armën te roja e sigurisë e duke pritur më tej policinë për ta arrestuar.
“Vazhdova të qëlloja sërish. Nuk i kam harxhuar të gjitha plumbat, më kishin mbetur edhe 3 plumba të tjerë. Në momentin që po qëlloja, kuptova atë çfarë po bëja, aty ndalova së qëlluari dhe shkova dorëzova pistoletën te roja e sigurisë, dola jashtë dhe prita të vinte policia që të dorëzohesha”, mësohet të ketë thënë 30-vjeçari.
Gjyqtari 60-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri mesditën e 6 tetorit në sallën e gjyqit. Ai u qëllua me armë zjarri nga 30-vjeçari, Elvis Shkambi, teksa po shpallte një vendim gjyqësor për një çështje pronësie ku ishin të përfshirë familjarët e autorit. Krahas gjyqtarit, Shkambi qëlloi edhe ndaj Rakip dhe Elvis Kurtaj, babë e bir, të cilët ishin palë në këtë proces gjyqësor.
Kalaja u transportua me urgjencë drejt spitalit të traumës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve ai nuk mundi të mbërrijë me shenja jete në spital, pasi kishte marrë dy plumba në gjoks dhe një në bark.
Lidhur me këtë ngjarje ka rënë në pranga Elvis Shkambi, xhaxhai i këtij të fundit, Gjon Shkambi si dhe roja i sigurisë, Banush Koxhaj.