Shtypja e tmerrshme e turmave në Seul që la 150 të vdekur të shtunën dhe dhjetra të tjerë të plagosur, mund të ishte evituar, tha sot një i mbijetuar që pretendonte se “askush nuk donte të ndihmonte për të shmangur tragjedinë, teksa mes kaosit njerëzit vijonin të qeshnin e të këndonin teksa të tjerët vdisnin.
Nathan Taverniti, i cili ishte në skenën e katastrofës, publikoi një video të rëndë ku tregonte për momentet e fundit të shoqes së tij, producenten australiane Grace Rached, 23 vjeçare nga Sydney.
Në videon e postuar në TikTok ai shpjegonte: “Isha aty kur ajo tha se nuk merrte dot frymë, dhe unë kapa dorën e një prej miqve të mi”.
“Ishte një shtypje e ngadaltë, e tmerrshme. Shtypja nuk u shkaktua nga njerëz të pirë, por nga mungesa e planifikimit, si nga policia dhe nga shërbimet e emergjencës.”
“Askujt nuk i shkonte mendja të ndihmonte. Shihja që njerëzit filmonin e këndonin teksa miqtë e tyre po vdisnin, së bashku me shumë të tjerë”.
“Unë po përpiqesha të tërhiqja njerëz jashtë sepse nuk kishte shumë policë dhe askush nuk bëri asgjë për të njoftuar turmat”.
100,000 njerëz kishin dalë në rrugët e ngushta të qendrës së Seul, në një prej celebrimeve më të mëdha që prej pandemisë.
Policia vendase ka nisur tashmë një task-force prej 475-oficerësh për hetimin e rrethanave të tmerrit, pas raportimeve se ndërhyrjet nisën vetëm gjysmë ore pas vdekjeve teksa ambulancat nuk arrinin dot të plagosurit mes rrugicave të mbushura me njerëz.
Taverniti shtonte: “Kishte dhjetra njerëz përtokë që po u bëhen frymëmarrje artificiale, jo nga mjekë por nga njerëz të zakonshëm. Jam i trishtuar, i shkatërruar për një situatë që mund të ishte evituar por askush nuk dëgjonte”.