Nga Dashnor Kokonozi-
Kur u ndodha një herë përballë saj, m’u kujtua një kohë e largët, kur e dëgjova për herë të parë, nga radioja e një shtëpie. Diku, tek po kaloja te rruga e Pishës në Tiranë. Imazhi i asaj dite më ringjallet gjithnjë: zërin e saj të kristaltë e ndjej ende duke çarë ajrin e të ngjitet në qiell me sharmin, sigurinë, harenë dhe energjinë ngazëlluese të një jete që nuk e njihnim.
Jam i bindur se sot shumë vetëve emri i Mireille Mathieu-së nuk thotë asgjë. Por brezit tim ajo i flet shumë, me atë “r” të saj të veçantë, vibruese e lirike, që bie në sy edhe te vetë francezët.
Ishte nga të paktat artiste të huaja që transmetohej nga Radio Tirana.
Por, pas portretit të kësaj artisteje të madhe, kush fshihet?
Për jetën e saj intime dihen pak gjëra. “Mirë që është e pamartuar,” pyeste një ditë Le Figaro, “por a ka ndonjë burrë në jetën e saj?”
Vërtet, a ka “ndonjë”?
Mes sajesave të shtypit dhe idileve të paqena, shumë vetë janë përpjekur të kuptojnë jetën e saj.
Prej vitesh Mireille Mathieu banon në Avignon, qyteti ku ka lindur. Ka një shtëpi të vogël me motrën e saj, njeriun më të afërt, konfidenten më të besuar, atë që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës nëpër koncertet e saj në botë.
Është me origjinë modeste. I ati ishte murator dhe ajo ishte më e madhja nga katërmbëdhjetë fëmijët, për të cilët ka bërë shumë.
Po si bëhet që kurrë nuk e kemi parë në krah të ndonjë burri, vazhdojnë të pyesin gazetarët?
Ajo thotë se jeta private nuk i ka munguar, por përpiqet ta ruajë si një kopsht sekret.
Edhe pse asgjë nuk dihet me siguri, biografët numërojnë disa burra që kanë qenë afër saj.
I pari është Johnny Stark, ish-imprezario i Johnny Hallyday-it. Ai e zbuloi në një mbrëmje gala dhe ishte po ai që e përgatiti për karrierën e saj. A kishte vërtet ndonjë lidhje me të? Askush nuk e di. Fjalët dolën vetëm pasi Johnny Stark vdiq. Dhe kjo sepse ai u varros në kapelën familjare të Mireille Mathieu. Ajo e kujton si dikë të ashpër, por që i mësoi gjithçka nga arti i muzikës.
“A ka dashur ai të martohet me ty?” e pyesin. Ajo nuk përgjigjet. Vetëm se nuk mungon ta kujtojë me mirënjohje.
Eshte parë të puthet në një interpretim ne duo me aktorin amarikan Patrick Duffy, i nohur në serialin “Dallas”. Kur e pyetën për ndonjë lidhje të tillë gjatë një vizite në Paris, Duffy u shpreh i habitur se ishte i martur dhe kishte dy kalamaj!
Pastaj vjen një seri historish të pafund, krejtësisht të sajuara, me personalitete të njohura të jetës artistike parisiane, me prezantues të famshëm në mediat kryesore të vendit, që nuk po i përmend. Por askush nuk sjell dot asnjë provë.
Tani vonë, ajo thotë se ka pasur një të fejuar, por pas një jave u nda prej tij sepse i kërkoi të linte këngën.
Shkurt, nuk ka asnjë dyshim se jeta sentimentale e kësaj artisteje të jashtëzakonshme, që ka kënduar në gjysmën e vendeve të globit dhe në mbi 40 gjuhë, ka qenë dhe do të mbetet sekreti më i madh i asaj që të gjithë e quajnë “La demoiselle d’Avignon”.
(Ndërkohë unë nuk e kuptoj veten përse këtë herë u mora me kete anë të jetës së një artisteje, gjë që nuk e kam zakon!)

