U përball me anën e errët të famës: Ndahet nga jeta Bjorn Andresen, “djali më i bukur në botë” që u bë simbol i një epoke

2 Minuta Lexim

Bjorn Andresen, aktori suedez që u bë simbol i bukurisë engjëllore në kinemanë evropiane, është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare. Ai u bë i famshëm në mbarë botën në vitin 1971, pas rolit të Tadzios në filmin e Luchino Viscontit Death in Venice.

Në atë kohë ishte vetëm 15 vjeç, dhe regjisori italian e cilësoi “djalin më të bukur në botë”, një etiketë që do ta ndiqte gjatë gjithë jetës.

Pas suksesit të menjëhershëm, Andresen u përball me anën e errët të famës. Ai ka rrëfyer më vonë se gjatë xhirimeve u detyrua të marrë pjesë në evente dhe ambiente që e bënin të ndihej i pambrojtur dhe i shfrytëzuar. Ndërsa për botën ishte një ikonë estetike, për të vetë fama u kthye në një barrë që ndikoi në karrierën dhe në jetën e tij personale.

Pas filmit, ai udhëtoi në Japoni, ku u kthye në një figurë të adhurimit masiv, duke punuar si model dhe muzikant. Gjatë viteve ai mori pjesë në më shumë se 30 filma dhe seriale, ndërsa dashuria e tij për muzikën e shoqëroi deri në fund të jetës.

Bjorn Andresen la pas dy fëmijë, të lindur nga martesa me poeten Suzanna Roman. Ai do të mbahet mend jo vetëm për bukurinë që mahniti botën, por edhe për kurajën e një njeriu që u përpoq të rigjente veten përtej mitit që krijoi fama e hershme

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull