Gjermania drejt rikthimit të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, brezi i ri kundër

3 Minuta Lexim

Gjermania po përgatitet të rikthejë shërbimin ushtarak të detyrueshëm pas më shumë se një dekade, teksa qeveria kërkon të forcojë kapacitetet e Bundeswehr-it përballë tensioneve të rritura me Rusinë, raporton The Washington Post.

Por planet e reja kanë ndezur debat të ashpër, sidomos mes të rinjve që shprehen të pavendosur ose haptazi kundër.

Sipas projektligjit që pritet të votohet në Bundestag deri në fund të nëntorit, çdo 18-vjeçar do të marrë një letër zyrtare për të plotësuar një pyetësor mbi gatishmërinë për të shërbyer për gjashtë muaj.

Për vajzat, pjesëmarrja do të jetë vullnetare. Synimi është që brenda vitit 2031, ushtria gjermane të arrijë në 260 000 efektivë, nga rreth 182 000 që ka sot.

Në një vend që prej Luftës së Dytë Botërore është formuar nga pacifizmi, rikthimi i detyrimit ushtarak është temë delikate.

Një sondazh i revistës Stern tregon se 54 për qind e gjermanëve e mbështesin, por 63 për qind e të rinjve e kundërshtojnë, duke e konsideruar si një kthim prapa.

Qeveria ka propozuar një sistem “llotarie” për përzgjedhjen e një pjese të të rinjve, por kjo ka ngjallur kritika të forta.

Aktivistët e rinj e kanë krahasuar me “Hunger Games”, duke e quajtur “skenar i tributeve të Panemit”.

Ndërkohë, mbi 3 mijë qytetarë kanë dorëzuar paraprakisht kërkesa për statusin e kundërshtuesit të ndërgjegjes (një person që refuzon të marrë pjesë në shërbimin ushtarak për arsye morale, etike ose fetare – ed.), edhe pse ligji ende nuk ka hyrë në fuqi.

Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius ka deklaruar se synon që Gjermania të jetë “kriegstüchtig” – e gatshme për luftë – deri në vitin 2029, në përputhje me planin e NATO-s për forcim të mbrojtjes.

Berlini ka miratuar një plan investimesh deri në 1 trilion dollarë për mbrojtjen dhe infrastrukturën gjatë dekadës së ardhshme.

Megjithatë, pengesa kryesore mbetet mungesa e personelit. Në bazat ushtarake, programet “provë” për të rinjtë synojnë të tërheqin rekrutë të rinj, por entuziazmi nuk është i madh.

“Ajo që më pëlqen është ndjenja e bashkësisë, por jo të gjithë janë për këtë jetë”, thotë 17-vjeçari Mathis Kramer, pjesëmarrës në një javë trajnimi në Marinën gjermane, raporton WP-ja.

Për shumë bashkëmoshatarë të tij, ideja e një ushtrie të detyrueshme bie ndesh me jetën civile që kanë njohur që prej vitit 2011, kur Gjermania e pezulloi shërbimin ushtarak.

“Ne kemi jetuar me paqen si diçka të dhënë, por nuk është gjithmonë e tillë”, shton Kramer.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull