Ish-kapiteni i Anglisë në futboll, David Beckham, është shpallur zyrtarisht ‘Kalorës’ për shërbimet e tij ndaj futbollit dhe shoqërisë britanike. 50-vjeçari, i cili u emërua në listën e nderimeve të ditëlindjes së Mbretit Charles në fillim të këtij viti, u dekorua me titullin ‘Kalorës’ nga Mbreti gjatë një ceremonie në Berkshire të martën, duke pranuar titullin ‘Sir’ (Zotëri).
Ish-mesfushori i Manchester United dhe Real Madrid luajti 115 herë për vendin e tij dhe ishte kapiten i ‘Tre Luanëve’ për gjashtë vjet midis viteve 2000 dhe 2006. Ai luajti në tre Kupa Bote për Anglinë, si dhe në dy Kampionate Evropiane.
Beckham doli nga akademia e Manchester United në vitin 1992 dhe kaloi 11 vjet në ekipin e parë përpara se të bashkohej me Real Madridin në vitin 2003 në një marrëveshje prej 35 milionë eurosh.
Ai luajti për katër vjet në kryeqytetin spanjoll përpara se t’i bashkohej ekipit të Major League Soccer, LA Galaxy. Ai pati dy periudha huazimi te AC Milan gjatë kohës së tij në Los Angeles, përpara se ta përfundonte karrierën te Paris Saint Germain në vitin 2013.
Ndikimi i Beckham shtrihet përtej fushës
I lindur në lindje të Londrës, ai luajti një rol në sigurimin e Lojërave Olimpike të vitit 2012 për Londrën.
Ai ka punuar me organizatën e ndihmës humanitare UNICEF që nga viti 2005 dhe një fond u emërua në nder të tij në vitin 2015 për të shënuar një partneritet dhjetë vjeçar midis palëve. Beckham u bë ambasador i Fondacionit të Mbretit në vitin 2024, duke mbështetur programin arsimor të Mbretit Charles dhe përpjekjet për të siguruar që të rinjtë të kenë një kuptim më të mirë të natyrës.
Ai është bashkëpronar i skuadrës së Ligës së Dytë, Salford City, së bashku me ish-shokun e skuadrës te United dhe Anglia, Gary Neville, si dhe është bashkëpronar i skuadrës së MLS, Inter Miami.
Me titullin ‘Sir’ (Zotëri), tanimë edhe bashkëshortja e tij, Victoria Beckham, mund të përdorë titullin Dame ‘Zonjë’.
Çfarë është titulli ‘Sir’ dhe ‘Dame’?
Duke u shpallur ‘Kalorës’, Beckham i bashkohet një grupi të zgjedhur personalitetesh me arritje të larta nga fusha të ndryshme, duke përfshirë politikën, biznesin, artin dhe sportin. Disa nga individët me profil më të lartë të Britanisë janë shpallur ‘Kalorës’ ose ‘Kalorëse’, si Kryeministri Sir Keir Starmer, Sir Elton John dhe Dame Judi Dench.
Sportistë të famshëm që e kanë marrë këtë nder përfshijnë shtatë herë kampionin e botës në Formula 1, Sir Lewis Hamilton, dy herë kampionin e Wimbledon, Sir Andy Murray, Sir Alex Ferguson dhe vrapuesen, dy herë fituese të medaljes së artë olimpike, Dame Kelly Holmes.

