Irani po përgatitet të dërgojë rreth 1000 armë shtesë, duke përfshirë raketa balistike me rreze të shkurtër tokë-tokë dhe më mjaft dronë sulmues, në Rusi për t’i përdorur në luftën e saj kundër Ukrainës, thanë për CNN zyrtarë nga një vend perëndimor që monitorojnë nga afër programin e armëve të Iranit.
Dërgesa po monitorohet nga afër, sepse do të ishte rasti i parë i dërgimit të raketave të avancuara me precizion nga Irani në Rusi, gjë që mund t’i japë Kremlinit një ndihmë të konsiderueshme në fushën e betejës.
Dërgesa e fundit e armëve nga Irani në Rusi përfshinte rreth 450 dronë, thanë zyrtarët, të cilët rusët i kanë përdorur tashmë në Ukrainë. Zyrtarët ukrainas thanë javën e kaluar se ata kanë rrëzuar më shumë se 300 drone iraniane.
Kjo dërgesë e re e pritshme do të shënonte një rritje të konsiderueshme të mbështetjes iraniane për përpjekjet luftarake të Rusisë. Ndërsa koha e saktë se kur do të arrijë dërgesa në Rusi është e paqartë, zyrtarët besojnë se armët do të dorëzohen patjetër përpara fundit të vitit.
Dronët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në konflikt që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në fund të shkurtit, por përdorimi i tyre është rritur që nga vera, kur Shtetet e Bashkuara dhe Kievi thonë se Moska bleu dronë nga Irani.
Javët e fundit këta dronë iranianë janë përdorur për të synuar infrastrukturën kritike të energjisë në Ukrainë.