Deputetet e opozitës i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare Presidentit të Republikës, që të kthejë për rishqyrtim në Kuvend ligjin për barazinë gjinore. Në kërkesë evidentohen të gjitha argumentet për antikushtetutshmërinë e ligjit.
“Ju kërkojmë që të paktën një herë të vetme gjatë ushtrimit të detyrës tuaj si President i Republikës, të ngriheni në lartësinë e detyrës, të ndaloni përçarjen, deformimin, denatyrimin, dhe të ndiqni edhe këshillat e komuniteteve fetare, për të ruajtur traditën shqiptare se asnjë rregull në shoqërinë tonë nuk mund të imponohet në kundërshti me përfaqësuesit e komuniteteve fetare.
Për të gjitha sa më lart, Të riktheni për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për barazinë gjinore”, sipas kompetencës që ju njeh Kushtetuta në nenin 85 të saj.” – thuhet në kërkesë.
Më 6 nëntor Kuvendi miratoi me 77 vota pro të mazhorancës projektligjin e shumëdebatuar “Për barazinë gjinore”. Kundër votuan 36 deputetë të opozitës, të cilët e kanë kritikuar ligjin ashpër duke thënë se qëllimi është shkatërrimi i familjes.

