Irani po përgatitet të dërgojë armë në Rusi, përfshirë raketa balistike

3 Minuta Lexim

Irani po përgatitet të dërgojë rreth 1 mijë armë shtesë në Rusi, duke përfshirë raketa balistike me rreze të shkurtër tokë-tokë dhe më shumë dronë sulmues, për t’i përdorur në luftën kundër Ukrainës.

Lajmi u bë i ditur në një deklaratë të dhënë nga zyrtarë nga një vend perëndimor që monitoron nga afër programin e armëve të Iranit, për median amerikane “CNN”.

Dërgesa e fundit e armëve nga Irani në Rusi përfshinte rreth 450 dronë, të cilët rusët i kanë përdorur tashmë për efekt vdekjeprurës në Ukrainë.

Zyrtarët ukrainas thanë javën e kaluar se ata kanë rrëzuar më shumë se 300 dronë iraniane.

Javët e fundit këta dronë iranianë janë përdorur për të synuar infrastrukturën kritike të energjisë në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara kanë pretenduar gjithashtu se Irani ka dërguar personel ushtarak në Krime për të ndihmuar sulmet me dronë rusë ndaj objektivave ukrainas.

Në fillim të këtij muaji John Kirby, koordinatori i komunikimit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, tha se prania e personelit iranian ishte dëshmi e angazhimit të drejtpërdrejtë të Teheranit në konflikt.

Robert Malley, një specialist në zgjidhjen e konflikteve, foli kundër furnizimit Iranian me dronë.

Irani po forcohet ngadalë si një lojtar në luftën në Ukrainë, shtoi më tej ai.

Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se ata nuk kishin ndonjë informacion për të dhënë mbi sugjerimin se Irani po përgatitet të dërgojë raketa në Rusi për përdorim në Ukrainë.

Misioni iranian në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj një kërkese për koment në lidhje me dërgesën e re të pritshme.

Irani ka mohuar më parë furnizimin e Rusisë me armë për përdorim në Ukrainë, duke thënë se “nuk e ka bërë dhe nuk do ta bëjë këtë”.

Eshtë e paqartë nëse SHBA do të jetë në gjendje të ndalojë dërgesat e mëtejshme që të vazhdojnë, edhe pse shqetësimet rriten për iranianët që dërgojnë armatime edhe më të avancuara në Rusi.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë gjithashtu se janë në dijeni të diskutimeve për armë shtesë iraniane në Rusi, të cilat ende nuk janë dorëzuar.

Muajin e kaluar, SHBA sanksionoi një ofrues të transportit ajror për përfshirjen e tij në dërgimin e dronëve iranianë, të njohur gjithashtu si Mjete Ajrore pa pilot (UAV) në Rusi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull