Kryeministri Edi Rama foli sot për herë të parë për akuzat e opozitës lidhur me vjedhjen e 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë.
Duke mbajtur një fjalim në Kuvend ku po diskutohet buxheti dhe paketa fiskale, Rama tha se kjo shifër është si 450 milionë eurot e inceneratorëve, shifër që nuk figuron në asnjë dokument zyrtar.
“Dëgjova që me 450 milionë eurot e inceneratorëve mund të bëhej një rritje agresive e pensioneve.
Ky 450 milionë euroshi është aritmetika e atij që mua më mungon shumë, por që e kujtoj përmes jush 7×7=52.
Ky konstatim nuk figuron asgjëkundi në asnjë nga fashikujt e një çështje të hetuar prej vitesh, ku as 45 milionë euro nuk duken asgjëkund.
Tuneli i Llogarasë, 50 milionëshi është si 450 milionëshi i inceneratorëve”, tha Rama.
Sipas tij “sot pikërisht pse drejtësia është e pavarur, shqiptarët i referohen drejtësisë dhe nuk i referohen atyre që duan të bëjnë prokurorin rrugëve dhe që pastaj kur dalin në rrugë mbeten kashtë e koqe siç më thanë që kishit mbetur para dy netësh”.
“E fundit që kam është kënga e mjerueshme e fondeve të Bujqësisë. OLAF i cili bën hetime për llogari të KE-së, për 2019-2023 nuk ka gjetur shkelje të të njëjtës natyrë siç ka gjetur në Shqipëri, vetëm në Luksemburg, Maltë, Qipro, Holandë.
Shuma e vendosur nga OLAF për vendet e tjera të BE-së, nga Italia te Bullgaria, Rumania, është 1 miliardë euro që në konsideratën e kësaj zyre janë të keqadministruara. Duhet të mësohemi edhe me këtë aspekt”.

