Arsyetimi i thelluar i GJKKO për rastin Balluku: Masat e sigurimit personal nuk e pengojnë që të ushtrojë funksionet e saj si deputete e zgjedhur

5 Minuta Lexim

Gjykata kundër krimit dhe korrupsionit, GJKKO, ka bërë një arsyetim të thelluar për vendosjen e masave shtrënguese ndaj znj. Belinda Balluku duke arsyetuar se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje, për shkak të detyrës që ushtron e pandehura Belinda Balluku (aktualisht me funksionet e larta shtetërore, zv.kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës).

Gazeta ka mundur të lexojë arsyetimin e thelluar të Gjykatës, e cila pretendon se caktimi i këtyre masave të sigurimit personal nuk e pengojnë të pandehurën Belinda Balluku që të ushtrojë funksionet e saj si deputete e zgjedhur.

Fakti që organi procedues po heton për shkeljet e këtyre të pandehurve edhe në procedura prokurimi të tjera, sipas Gjykatës, ka krijuar nevojën e këtyre masave.

Në lidhje me ekzistencën e rrezikut të largimit të të pandehurve, Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku i largimit të të pandehurve, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale për të cilën ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy herë dhe në bashkëpunim.

Gjykata po ashtu shpreh dyshimet se, duke qenë në funksione publike, ekziston rreziku “që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen”, kjo lidhur me rrethanat e veprimeve të kundërligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për institucionet qendrore që ata drejtojnë.

Sa i përket rastit të zonjës Belinda Balluku, Gjykata vlerëson se në caktimin e masës së sigurimit personal e bëjnë të domosdoshme dhe në përputhje me nevojën e sigurimit caktimin e njëkohshëm të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale. Në vlerësimin e Gjykatës, këto masa sigurimi personal janë më të përshtatshmet në raport me rëndësinë e faktit dhe masën e dënimit që parashikohet nga neni 258/2 i Kodit Penal, si dhe faktin që akuzohet/dyshohet për kryerjen e veprës penale dy herë dhe në bashkëpunim.

Gjykata pretendon se nuk ka ndalim ligjor që në zbatim të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, për të cilin kërkohet masa ndaluese — ajo e pezullimit nga detyra e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Neni 242 i K.Pr.Penale, “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikon:
“1. Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.
2. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.”

Në rastin konkret, vlerësohet më e përshtatshme për mbarëvajtjen e procedimit që të caktohen dy masa sigurimi për të pandehurën Belinda Balluku: masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masa e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore — zv.kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë)”, të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale. Gjykata çmon të theksojë se caktimi i këtyre masave të sigurimit personal nuk e pengojnë të pandehurën Belinda Balluku që të ushtrojë funksionet e saj si deputete e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull