Një gazetar investigativ kroat ka paraqitur një padi te prokurorët e Milanos kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i dyshuar për përfshirje në grup snajperësh në Sarajevë gjatë Luftës së Bosnjës, në të cilat të huaj të pasur dyshohet se paguan shuma të mëdha parash për të qëlluar civilët boshnjak, në vitet 1990.
Javën e kaluar, prokurorët e Milanos nisën një hetim që synonte identifikimin e italianëve të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje, të akuzuar për vrasje me dashje të rënduar nga mizori dhe motive të shëmtuara.
Sipas hetuesve, grupe “turistësh snajperë” dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjet masive pasi u kanë paguar shuma të mëdha parash ushtarëve që i përkisnin ushtrisë së Radovan Karaxhiçit – ish-liderit serb të Bosnjës i cili në vitin 2016 u shpall fajtor për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit – për t’u transportuar në kodrat përreth Sarajevës në mënyrë që të qëllonin mbi popullsinë për kënaqësi.
Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në Sarajevë nga bombardimet dhe zjarri snajper midis viteve 1992 dhe 1996 në atë që ishte rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia. Snajperët ishin ndoshta elementi më i frikshëm i jetës nën rrethim në Sarajevë, sepse ata qëllonin pa dallim njerëzit në rrugë, përfshirë fëmijët.
Hetimi filloi nga një ankesë ligjore e paraqitur nga Ezio Gavazzeni, një shkrimtar me bazë në Milano i cili mblodhi prova mbi akuzat, si dhe një raport të dërguar prokurorëve nga ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës Benjamina Karić.
Gavazzeni tha se kishte lexuar për herë të parë raportet rreth turistëve të dyshuar si snajperë në shtypin italian në vitet 1990, por vetëm pasi pa Sarajevo Safari , një dokumentar i vitit 2022 nga regjisori slloven Miran Zupanič, filloi të hetonte më tej. Të mërkurën, gazetari investigativ Domagoj Margetić paraqiti padinë e tij kundër Vuçiçit te prokurorët që po hetojnë çështjen.
Siç është raportuar në Sarajevë, ditët e fundit Margetić postoi prova në mediat sociale se Vučić, atëherë një vullnetar i ri, ishte i pranishëm në një nga postet ushtarake në Sarajevë nga e cila, sipas dëshmitarëve, shtetas të huaj dhe njësi ultranacionaliste serbe qëllonin dhe vrisnin civilë në atë që është përshkruar si një “safari turistik” makabër.
Nicola Brigida, një avokat që ndihmoi Gavazzeni-n të përgatiste çështjen e tij, tha: “Provat e grumbulluara pas një hetimi të gjatë [nga Gavazzeni] janë të mbështetura në fakte dhe mund të çojnë në hetime serioze për të identifikuar fajtorët. Ekziston edhe raporti nga ish-kryetari i bashkisë së Sarajevës.”
Gavazzeni pretendoi se “shumë italianë” dyshohet se kanë qenë të përfshirë, pa dhënë një shifër të saktë. “Kishte gjermanë, francezë, anglezë… njerëz nga të gjitha vendet perëndimore që paguan shuma të mëdha parash për t’u çuar atje për të qëlluar civilët
Ai shtoi: “Nuk kishte motive politike apo fetare. Ata ishin njerëz të pasur që shkonin atje për argëtim dhe kënaqësi personale. Po flasim për njerëz që i duan armët dhe që ndoshta shkojnë në poligone qitjeje ose në safari në Afrikë.”
Gavazzeni pretendoi se të dyshuarit italianë do të takoheshin në qytetin verior të Triestes dhe do të udhëtonin për në Beograd, nga ku ushtarët serbo-boshnjakë do t’i shoqëronin ata deri në kodrat e Sarajevës.
“Kishte një trafik turistësh lufte që shkonin atje për të qëlluar njerëz”, tha ai.
“Unë e quaj indiferencë ndaj së keqes”.
Vuçiç ende nuk ka komentuar mbi akuzat. Megjithatë, thashethemet rreth kohës së tij në Sarajevë kanë qarkulluar prej vitesh.
Në një intervistë të vitit 2021 me një kanal televiziv boshnjak, presidenti serb mohoi në mënyrë të qartë të ketë qëlluar ndonjëherë qytetin e rrethuar, duke i përshkruar akuzat si një manipulim politik të rrënjosur në retorikën nacionaliste të rinisë së tij dhe ekuilibrin e brishtë të pushtetit në rajon. (The Guardian)

