Brenda 24 orësh, Bordi i Transparencës ul sërish me 4 lekë çmimin e naftës. Në mbledhjen e të mërkurës u vendos që një litër naftë të blihet për 232 lekë, nga 236 që ishte më parë.
Çmimi i gazit është i pandryshuar. Bordi i Transparencës vendosi që një litër gaz të shitet me 74 lekë.
Ndërsa çmimi i benzinës është rritur me 9 lekë brenda 24 orëve. Një litër benzinë qytetarëve do u kushtojë 212 lekë, nga 203 që ishte në mbledhjen e 12 tetorit.
Bordi i Transparencës thotë se në vendimet e tij i referohet lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
Ndërkohë që në bursën e Teksasit një fuçi naftë kap vlerën afro 90 dollarëve ndërsa në atë të Londrës 95 dollarë duke qëndruar në kuotat e para luftës në Ukrainë.