Një 36-vjeçar është identifikuar dhe është shpallur në kërkim në lidhje me plagosjen e regjisruar mbrëmjen e së dielës në Tiranë.
Fatmir Frroku mësohet se mbrëmjen e djeshme pas një sherri ka plagosur me armë në këmbë një 40-vjeçar në rrugën “Ramadan Citaku”.
I plagosuri fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhet në spital. Policia po vijon punën për kapjen e autorit të plagosjes.
“Tiranë/ Plagosi me armë zjarri një shtetas, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e tij.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimit ndaj Pronës dhe Jetës, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Ramadan Citaku”, një shtetas kishte plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasin M. J., 40 vjeç, organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit F. F., 36 vjeç, i cili, pas një konflikti për motive të dobëta, rreth orës 22:20 të mbrëmjes së djeshme, plagosi me armë zjarri në këmbë shtetasin M. J. Ky i fundit ndodhet në spital, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit F. F dhe dokumentimin e plotë të rastit. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale,” njofton policia.

