Bardhi takim me VanHorn: Rruga që e çon përpara Shqipërinë, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit

2 Minuta Lexim

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn. Në takimin me zyrtaren e lartë amerikane, Bardhi thotë se ka ndarë qëndrimin e PD mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe regresin e Shqipërisë në raport me standardet demokratike.

Bardhi ankohet edhe për qeverinë Rama, duke shkruar se i ka shprehur VanHorn se vendi prej 12 vitesh drejtohet nga një qeveri partnere me krimin e organizuar.

Bardhi thekson se e vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë, si partner i denjë i SHBA, është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri, e cila del nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i çmuar i Shqipërisë dhe ne jemi me fat që i kemi patur gjithmonë në krah, në çdo etapë të ekzistencës së shtetit shqiptar.

Sot, gjatë takimit me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA, znj. Nancy VanHorn, ndava qëndrimin tonë mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe regresin shqetësues të Shqipërisë në raport me standardet demokratike.

Për fat të keq, gjatë këtyre 12 viteve, Shqipëria është drejtuar nga një qeveri partnere e krimit të organizuar dhe e karteleve të drogës. Kjo qeveri qëndron në pushtet përmes parave të pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

E vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë si një vend i zhvilluar dhe si partner i denjë i SHBA është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri, e cila del nga zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shkruan Bardhi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull